Ankesa dhe probleme me shërbimin

Si të ankohemi për zbatimin e kushteve kontraktore për ofrimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike?

Faza e parë – ankesa/sqarime tek ofruesi i shërbimit në telefon/pikat e shitjes.

Në kushtet kontratës së pajtimit përcaktohen mënyra dhe proçedura për ankesat, ku jepen numrat e telefonit, adresat dhe kontaktet për kujdesin me klientët.

Ju keni të drejtë të ankoheni apo të kërkoni sqarime tek ofrouesi i shërbimit. Në rast se nuk jeni të kënaqur me sqarimet e dhëna nga punonjësi me anë të telefonit apo mjeteve të tjera elektronike, ju mund të ankoheni me shkrim tek ofruesi i shërbimit.

Faza e dytë – ankesa me shkrim

Ju duhet t’i drejtoni një ankesë me shkrim ofruesit të shërbimit të Internetit brenda 15 ditëve nga:

  • marrja e faturës për shërbimin e ofruar, nëse ankesa i referohet shumës së faturuar për shërbimin e ofruar; ose
  • nga ofrimi i shërbimit, nëse ankesa i referohet cilësisë së shërbimit të ofruar.

Me marrjen e ankesës, ofruesi i shërbimit të Internetit, duhet të verifikojë shumën e faturuar dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara, dhe pas verifikimit, t’ju konfirmojë ose t’i korrigjojë ato.

Ofruesi i shërbimit duhet t’ju dorëzojë përgjigjen me shkrim, jo më vonë se 15 ditë nga marrja e ankesës.

Nëse nuk jeni dakord me përgjigjen me shkrim të ofruesit të shërbimit, ju mund të filloni një procedurë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes në AKEP, ose mund ta paraqisni rastin para gjykatës.

Faza e tretë – zgjidhja e mosmarrëveshjes në AKEP

Pas marrjes së përgjigjes nga ofruesi i shërbimit lidhur me ankesën, nëse nuk jeni dakort, mund të kërkoni zgjidhjen e mosmarrëveshjes në AKEP, brenda 15 ditëve nga marrja e përgjigjes me shkrim.

Kërkesa paraqitet me shkrim dhe duhet të përmbajë fakte dhe prova, në të cilat është bazuar.

Forma e paraqitjes së kërkesës me shkrim, Formulari, dërgohet me postë ose dorazi në adresën:

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare

Rruga “Reshit Çollaku”

Tiranë, Shqipëri

ose në formë elektronike nëpërmjet aplikacionit online: e-ankime konsumatori@akep.al

Kërkesës duhet t’i bashkëlidhni:

  1. të dhënat që shërbejnë për identifikimin dhe adresën tuaj;
  2. të dhënat që shërbejnë për identifikimin dhe adresën e ofruesit të shërbimit;
  3. objektin e kërkesës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes;
  4. parashtrimin e pretendimeve dhe kundërshtimeve ndaj përgjigjes së ofruesit të shërbimeve lidhur me ankimin.

Në përfundim të procedurës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, AKEP del me një rekomandim me shkrim se si duhet të zgjidhet mosmarrëveshja.

Në rast se rekomandimi nuk pranohet, secila nga palët mund të kërkojë zgjidhjen e mosmarrëveshjes në gjykatën kompetente.

 

 

Leave a reply