MBAHET NË TIRANË KONFERENCA NE KUADËR TË E-SEE

KONFERANCA-E-SEE-9-11-11Në datat 6-8 nëntor 2011, në Tiranë në kuadrin e Nismës Evropa Juglindore Elektronike (Electronic South Eastern Europe, e-SEE) në Tiranë, organizuar nga Zyra e Ministrit shqiptar të Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit e të Komunikimit, Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) u mbajt konferenca e nivelit të lartë për zhvillimin e shoqërisë së informacionit.

I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe Kryeministri i vendit z. Sali BERISHA. Duke u shprehur për rëndësinë që ka zhvillimi i kësaj konference në Tiranë, Kryeministri Berisha theksoi se “teknologjia digjitale është në shumë aspekte leva e Arkimedit për të kapërcyer kohërat, për të kapur kohën e humbur, për tu ofruar qytetarëve shërbimet më të mira të kohës, por për të vendosur, gjithashtu, në themel të veprimtarisë sonë transparencën si kushtin e të gjitha kushteve për një qeverisje të mirë”.

Kryeministri Berisha u shpreh se edhe këtë vit në buxhetin e vendit është përcaktuar, si një nga tre drejtimet e tij themelore, mbështetja e Shqipërisë digjitale. Gjithashtu, Kryeministri theksoi se qeveria po punon në realizimin e të gjitha zotimeve të nismës së partneritetit për qeveri të hapur dhe tashmë ka bërë një progres thelbësor.