ULEN PAGESAT QE KRYHEN NE AKEP PER PERDORIM TE FREKUENCAVE

logo-akep-lajm-1Me miratimin nga Këshilli i Ministrave të ndryshimeve të Vendimit nr. 599, datë 23.07.2010, në lidhje me pagesat që kryhen në AKEP nga sipërmarresit e tregut të komunikimeve elektronike që përdorin frekuenca, ulet me afro 40% vlera e këtyre pagesave.

Propozimi i AKEP për ndryshime, si dhe miratimi i tyre nga Këshilli i Ministrave ka për qëllim krijimin e një mjedisi më të favorshëm dhe jodiskriminues për investime në sektor.

Pagesat që kryhen në AKEP,  për financimin e aktivitetit të tij në mbikqyrjen e tregut të komunikimeve elektronike, që nga 1 Janari  2013, do të burojnë jo vetëm nga sipërmarrësit që përdorin frekuenca, por edhe nga të gjithë lojtarët e tregut, duke përfshirë dhe ata që realizimin e komunikimit e mundësojnë nëpërmjet mediumeve të tjera si fibra optike.

Përdorimi i fibrave mundeson: shtim kapaciteti  transmetimi si dhe  lirimin e brezave të frekuencave. Duke konsideruar parimin e neutralitetit teknologjik si dhe prezantimin e teknologjieve të reja, ripërdorimi i frekuencave nëpërmjet teknologjive që ofrohen sot, mundëson gamë më të gjërë shërbimesh, rritje konkurrence, zgjedhje, zgjidhje dhe tarifa më të ulta shërbimesh për konsumatorët.

Vendim Nr. 911, datë 19.12.2012