AKEP ÇERTIFIKON REGJISTRUESIT E PARË E .AL

HISTORIKU I LIBERALIZIMIT TË REGJISTRIMIT TË EMRAVE TË DOMAIN/NËNDOMAIN.AL

Një aspekt i rëndësishëm i zhvillimit të vrullshëm që po njeh Shqipëria në rrugën e dixhitalizimit të shërbimeve është edhe aplikimi për domain/nëndomain .al.

Hapi i parë i rëndësishëm për krijimin e kushteve të nevojshme për një proces sa më të besueshëm, të  konsoliduar dhe të bazuar në rregulla të harmonizuara me legjislacionin ndërkombëtar të fushës,  ishte ai i përfshirjes së përgjegjësisë së administrimit të emrave të domaineve në zonën.al dhe nën domainet .com.al, .org.al, .edu.al, .mil.al dhe .net.al, në kompetencat ligjore të fushëveprimit të Autoritetit  rregullator të komunikimeve elektronike dhe postare - AKEP, të përcaktuara në ligjin nr. 9918, datë 19. 05. 2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Kjo bëri që niveli i hierarkisë së normimit ligjor për regjistrimin dhe administrimin e emrave të domain .al dhe nëndomaineve të cituara më sipër  të rritej duke u zgjatur nga ai i rregullimeve të parashikuara vetëm në Rregullore të AKEP-it,  të parashikohej edhe në ligj.

Hapi i dytë i rëndësishëm në kuadër të procesit të zgjerimit të hapësirave sa më të thjeshta dhe të liberalizuara të proceseve burokratike administrative të regjistrimit si dhe të zbutjes së barrierave financiare, ishte ndërhyrja e AKEP-it në amendimin e Rregullores për “Regjistrimin dhe administrimin e emrave të Domain-eve nën .al dhe nëndomain-et .gov.al, .edu.al, .com.al, .org.al dhe .net.al”, në muajt qershor dhe gusht 2010. Me këto ndërhyrje rregullatore u bë e mundur që:

  • Në dhënien e të drejtës për regjistrim domain përveç personave juridikë publikë dhe privatë me rezidencë të aktivitetit tregtar në Shqipëri, të përfshiheshin  edhe subjektet fizike dhe juridike të çdo shteti tjetër në botë, të regjistruar si të tillë sipas legjislacionit në fuqi të shtetit përkatës për këtë qëllim, si dhe të personave natyrorë nënshtetas dhe me kombësi shqiptare.
  • Çmimi i shërbimit të regjistrimit të një domain në zonën .al  të ulej në mënyrë drastike nga 75 USD në 2(dy) vjet që ishte deri në muajin qershor 2010, në 2000 (dymijë) lek për 2(dy) vjet, çmim ky më i ulët se mesatarja europiane që është 18 USD në vit.

Rezultati i këtyre ndryshimeve rregullatore ishte i menjëhershëm dhe me efektivitet të lartë duke rritur ndieshëm numrin e kërkuesve për të regjistruar emra domain në zonën .al.

Hapi i  tretë i rëndësishëm i ndërmarrë nga AKEP-i në rrugën e liberalizimit të procesit të regjistrimit dhe administrimit të domain .al dhe nëndomaineve të cituara më sipër është ai  realizuar në janar të vitit 2013,  përsëri nëpërjet ndërhyrjes në rregullore, duke deleguar të drejtën e regjistrimit përveç AKEP-it edhe tek subjektet (persona fizike dhe juridikë) të interesuar. Ndryshimet dhe shtesat reflektojnë standardet e vendosura nga organizata botërore e administrimit të Internetit ICANN.

Bazuar në Vendimin Nr. 2252, datë. 23.01.2013, të Këshillit Drejtues të AKEP, duke filluar nga data 1 Maj 2013, të drejtën për të kryer procesin e regjistrimit të domaineve në zonën .al e kanw edhe subjete të tjera të akredituara nga AKEP-i si regjistrues. Ky ndryshim rregullator shënon liberalizimin e plotë të procesit të regjistrimit dhe synon një pritshmëri të lartë në drejtim të rritjes së kërkesës për të regjistruar emra domaini në zonën .al., si rezultat i veprimtarisë së këtyre sybjekteve si në aspektin e marketingut ashtu dhe në atë të ofrimit të paketave sa më të larmishme të shërbimeve në këtë produkt.
Sot më datë 02.08.2013, AKEP ka lëshuar çertifikatat e para të akreditimit si “Regjistrues për ccTLD.al”  për subjektet  “Albtelecom” sh.a,  “ShqipëriaCom” sh.p.k dhe “Webhost” sh.p.k.

Gjithashtu, nëpërmjet ndryshimeve të bëra në rregullore me këtë ndërhyrje u hoq barriera e kufizimit të kategorisë së personave natyrorë që kanë të drejtë të posedojnë një emër domaini në zonën .al, duke ia dhe në këtë të drejtë çdo personi natyror kudo në botë.
Përveç ndërhyrjeve legjislative një evolucion të rëndësishëm ka pësuar edhe automatizimi i proceseve të menaxhimit. Kështu krahas menaxhimit të sistemit në operim, në vitin 2012, përfundoi dhe ngritja e sistemit automatik të menaxhimit “Registry/Registrar”. Ky sistem është i bazuar i gjithi mbi platforma on line, që mundëson automatizimin e plotë të proçesit që nga aplikimi deri në posedim domain-i dhe liberalizimin e plotë të regjistrimit të domain nën.al.
Në tabelën e mëposhtme jepet efekti i hapave liberelizues të regjistrimit të domain.al për gjysmën e dytë të vitit 2010, dhe vitet 2011, 2012.

Domain050813 

Nga tabela shihet se vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2010, janë regjistruar 2846 domaine krahasuar me 1893 regjistruar për 11 vjet (1998-2009), pra në 2.5 herë  më shumë krahasuar me vitin 2009, si dhe 1.5 herë më shumë  në vitin 2011, krahasuar me 2010. Për vitin 2012, numri i domain-eve të regjistruar është 2281. Nderkohe, ne fillim te muajit Prill 2013, numri i domain-eve te regjistruar nen .al ka arritur ne 10.000.