NJOFTIM PËR SHTYP

logo-akep-lajm-1Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) i angazhuar brenda rolit dhe funksionit si organ rregullator i fushës, ka ndjekur dhe ndjek me vëmendje dhe përgjegjësi ligjore e institucionale pretendimet e sipërmarrësit Plus Communication Sh.a., të shprehura prej disa ditësh nga ana e tyre si zyrtarisht dhe në mënyrë publike nëpërmjët mediave të shkruara dhe vizive, lidhur me administrimin nga AKEP-i të procesit për dhënien e së drejtës së përdorimit të frekuencave në brezat 1900-1980 MHz, 2110-2170 MHz (IMT).

Duke iu referuar fakteve, të cilat janë lehtësisht dhe plotësisht të verifikueshme në distancë nëpërmjet akteve të publikuara nga AKEP-i në faqen elektronike www.akep.al, informojmë çdo të interesuar dhe publikun e gjerë, se AKEP-i procesin e dhënies së të drejtave të përdorimit të frekuencave në brezat 1900-1980 MHz, 2110-2170 MHz (IMT), e ka rinisur në muajin tetor të vitit 2013, nëpërmjet kryerjes së procedurës së këshillimit publik mbi bazën e dokumentit rregullator të miratuar me Vendimin e Këshillit Drejtues Nr. 2370, datë 18/10/2013 “Për miratimin e dokumentit për këshillim publik “Mbi dhënien e një të drejte përdorimi në brezat e frekuencave 1900-1980 MHz dhe 2110-2170 MHz, brezi – IMT””, në zbatim të përcaktimeve ligjore të parashikuara në ligjin nr.9918, datë 19/05/2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, pas ndryshimeve të tij të ndodhura me ligjin nr. 102/2012 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9918, datë 19.05.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, si dhe të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 466, datë 27.02.2013 “Për miratimin e Planit Kombëtar të Frekuencave”.

Aktualisht,  ky proces po vijon në përputhje të plotë me përcaktimet ligjore për këtë qëllim, pas miratimit me Vendimin nr. 2401, datë 26/12/2013 “Për miratimin e përfundimit të këshillimit publik “Mbi dhënien e drejtave të përdorimit në brezat e frekuencave 1900-1980 MHz, 2110 – 2170 MHz (IMT) dhe propozimin për Mnistrin për vazhdimin e procedurës për dhënien në përdorim të frekuencave në brezat 1900-1980 MHz, 2110-2170 MHz (IMT)”.

Lidhur me pretendimin për  vonesë nga ana e AKEP për dhënien e së drejtës së përdorimit të frekuencave në brezat 1900-1980 MHz, 2110-2170 MHz (IMT) dhe për më tepër të konsiderimit të tij si diskriminues në adresë të sipërmarrësit Plus Communication, sqarojmë se:.

-     Dhënia e të drejtave të përdorimin të frekuencave në brezat që mundësojnë ofrimin e shërbimit UMTS ose të njohur ndryshe si 3G mbi bazën e ligjit nr.9918, datë 19/05/2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të pandryshuar, bazuar në përfundimet e këshillimit publik të kryer në muajin tetor 2010 dhe aktet për kryerjen e procedurave të konkurrimit publik me tender të hapur ndërkombëtar, ka filluar që në muajin dhjetor 2010 me procedurën për dhënien e 1(një) të drejte përdorimi. Kjo procedurë u pasua nga 3(tre) procedura të tjera, në periudha kohore të arsyeshme, në përputhje me interesin publik dhe privat, për dhënien e autorizimeve përkatëse individuale të planifikuara dhe miratuara nga Qeveria e asaj kohe.
-     Pasi 2(dy) të drejta ishin fituar, 1(një)nga sipërmarrësi Vodafone Albania dhe tjetra nga AMC, në muajin tetor 2012, procesi i dhënies së 2(dy) atorizimeve individuale të tjera, u krye duke nxjerrë në konkurrim publik me tender të hapur ndërkombëtar 2(dy) të drejta përdorimi bashkërisht. Autorizimi i tretë individual në këtë proces u fitua nga sipërmarrësi Eagle Mobile, ndërsa sipërmarrësi Plus Communication për autorizimin e katërt individual paraqiti ofertë nën vlerën minimale të përcaktuar nga Ministri i linjës në atë kohë në zbatim të kompetencave ligjore dhe për këtë arsye oferta e tij ishte e pavlefshme.

Nga faktet e cituara shprehet qartë se procedurat e zbatuara nuk kanë qenë asnjëherë të vonuara, jo transparente, por në përputhje të plotë me kuadrin ligjor dhe politikat e Qeverisë për zhvillimin sektorial , si dhe në asnjë rast nuk kanë qenë diskriminuese ose përjashtuese për sipërmarrësin Plus Communicatin.

AKEP-i, garanton publikun dhe sipërmarrësit se do të përmbushi si deri tani, të gjitha detyrimet në mënyrë transparente, konform ligjit dhe akteve nënligjore politikbërëse që udhëheqin zhvillimin e sektorit si në brezin që mundëson ofrimin e shërbimeve 3G dhe në procesin e ardhshëm atë 4G.