KONFERENCA E STRATEGJISË GLOBALE TË UPU-SË

KONFERENCA-UPU160415-SNë periudhën 13-14 prill 2015, zhvilloi punimet Konferenca e Strategjisë Globale 2015 e UPU-së (Unioni Universal Postar) me temë “Sigurimi i zgjidhjeve innovative, të integruara dhe përfshirëse për zhvillim”. Në këtë konferencë strategjike morën pjesë më shumë se 750 delegatë nga të 192 shtete anëtare të UPU-së, ministra, autoritetet rregullatore kombëtare, përfaqësues të operatorëve postarë, si dhe përfaqësues të Organizatës së Kombeve të  Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare, duke siguruar në këtë mënyrë një panoramë të zhvillimeve të fundit të sektorit postar dhe ballafaqimin me Strategjinë Postare të Dohas 2013-2016, për të mundësuar identifikimin e sfidave dhe mundësive të së ardhmes. Çështjet dhe tendencat që u evidentuan në Konferencën Strategjike Globale do të përbëjnë Strategjinë e ardhshme Botërore Postare e cila do të prezantohet në Kongresin që do të mbahet vitin e ardhshëm në Stamboll.

Kjo konferencë u organizua nën kujdesin e Bregut të Fildishtë, dhe fjala zyrtare e hapjes më date 13 prill, u mbajt nga Kryeministri Z. Daniel Kablan Duncan, duke i paraprirë fjalën e Drejtorit të Pergjithshem të UPU-së, Z. Bishar Hussein. Gjithashtu, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Z. Ban Ki Moon, në mesazhin e tij për delegatët e konferences, tha se shërbimet postare duhet të luajnë një rol të qartë në axhendën post-zhvillim të Kombeve të Bashkuara e cila pritet të miratohet në shtator. “Ndërsa bota ndërton një axhendë të re për një zhvillim të qëndrueshëm dhe përpiqet të luftojë kërcënimet që paraqiten nga ndryshimet klimatike, shërbimet postare mund dhe duhet të jenë pjesë e zgjidhjes”.

Çështjet për diskutim në këtë konferencë përfshinë: inovacioni si çelësi për sukses; sfidat e tregtisë elektronike (e-commerce); krijimi i lehtësirave në tregti dhe zhvillimi i bizneseve të vogla dhe të mesme (SME) nëpërmjet rrjetit postar; roli i rregullatorit në orientimin dhe menaxhimin e sektorit postar në të gjitha dimensionet. Konferenca u mbyll me bindjen se sektori postar luan një rol kritik në dhënien e zgjidhjeve që nxisin përfshirjen dhe ndihmojnë komunitetin ndërkombëtar të arrijë qëllimet e tij për një zhvillim të qëndrueshëm.

Në këtë conference, AKEP u përfaqësua nga Znj. Anila Denaj Anëtare e Këshillit Drejtues të AKEP, dhe Znj. Jonela Kalaja Specialiste e Çështjeve Rregullatore të Shërbimit Postar.