Zhvillohet takimi në nivel ekspertësh midis AKEP dhe ARKEP, lidhur me zhvillimet rregullatore në tregun postar

foto-gjate-takimit AKEP-ARKEP

Tiranë 15 Dhjetor- Me kërkesë të Autoritetit Rregullativ për Komunikimet Elektronike dhe Postare të Kosovës, u zhvillua në ambjentet e AKEP, Tiranë, takimi në nivel ekspertësh midis përfaqësuesve të dy autoriteteve dhe përfaqësuesve të ministrive përgjegjëse të të dy shteteve, për shërbimet postare.

Në fokus të takimit bilateral, meqënëse Kosova ndodhet në prag të ndryshimeve ligjore në sektorin postar, ishte shkëmbimi i eksperiencës dhe i modelit të ndjekur nga AKEP mbi hartimin dhe miratimin e paketës rregullatore për shërbimin postar pas adpotimit të Ligjit të ri 46/2015 “Për Shërbimet Postare në Republikën e Shqipërisë”. 

Në këtë kuadër, përgjatë takimit përfaqësues të AKEP dhe Ministrisë së Inovacionit dhe Administratës Publike, prezantuan dhe ndanë me kolegët kosovarë eksperiencën dhe praktikën e ndjekur për ndryshimet në Ligjin për Shërbimet Postare (Ligji 46/2015), në hartimin e paketës së re rregullatore, çështjët lidhur me rregullimin e tarifave për shërbimet postare, proçesi i realizimit të Inspektimeve, shërbimet ‘Online’ për publikun, çështjet e anëtarësimit në mekanizmat ndërkombëtar apo dhe diskutimin mbi sfidat dhe problematikat me të cilat përballet sot tregu i shërbimeve postare.

Në frymën e mirëkuptimit midis dy autoriteteve, AKEP shpreh dhe njëherë disponibilitetin për të çuar më tej bashkëpunimin mbi problemet dhe sfidat e shërbimit postar në rajon.