AKEP hap Zyrën e Sektorit Rajonal të Monitorimit dhe Inspektimit Shkodër

foto gjate inagurimit te zyres rajonale ShkoderShkodër më 12 Janar 2017- AKEP në kuadër të zbatimit të Vendimit të Kuvendit Nr. 88/2015 “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), bën të ditur publikisht nëpërmjet ceremonisë inaguruese hapjen e Zyrës së Sektorit Rajonal të Monitorimit dhe Inspektimit Shkodër.

Kjo përbën një risi të zhvillimit të veprimtarisë së AKEP në kuptim të ushtrimit të juridiksionit territorial, duke sjellë për rrjedhojë një mbulim të plotë si në drejtim të kapaciteteve teknologjike ashtu dhe atyre njerëzore, të ushtrimit të kompetencave dhe detyrave të AKEP për mbikëqyrjen, kontrollin dhe inspektimin e veprimtarisë së sipërmarrësve që ofrojnë shërbime dhe rrjete të komunikimeve elektronike publike dhe të ofruesve të shërbimeve postare.

Përveçse nevojës së rritjes së eficensës administrative të AKEP si organi rregullator i fushës së komunikimeve elektronike dhe postare,  nevoja e shtrirjes me prezencë lokale në tërë territorin e Republikës së Shqipërisë për monitorimin e spektrit të frekuencave lindi dhe u  zhvillua si pjesë e zbatimit të Sistemit Kombëtar të Monitorimit të Spektrit të Frekuencave mbi bazën e “Projektit për ngritjen e Sistemit Kombëtar të Monitorimit të spektrit të frekuencave”, qëllimi i të cilit është të trajtojë  karakteristikat thelbësore të teknikave dhe veprimtarisë së monitorimit të spektrit në një sistem të mundshëm kombëtar të vendit tonë.

Zyra e Sektorit Rajonal të Monitorimit dhe Inspektimit do të ketë pajisjet e monitorimit për brezin e frekuencave 20 MHz – 6000 MHz, në stacionin fiks të monitorimit në Shkodër  dhe do të lejojë AKEP të kryejë matje dhe të identifikoje e lokalizoje me shpejtësi ndërhyrjet nga çdo burim brenda rajonit të Shkodrës, duke përfshirë okupimin e brezit të frekuencave (FBO) dhe okupimin e kanaleve të frekuencave (FCO) dhe trajtimin e interferencave.

Gjithashtu AKEP ka hapur dhe është në proces të inagurimit edhe të zyrave të tjera të Sektorëve Rajonalë të Monitorimit dhe Inspektimit në Krujë, Korçë dhe Vlorë.

Hapja e zyrave Rajonale të Monitorimit dhe Inspektimit në 4 (katër) rajone realizon prezencën e AKEP përveç se në nivel qendror nëpërmet selisë së vendosur në Tiranë, edhe në nivel lokal nëpërmjet këtyre zyrave. 

foto gjate takimit Shkoder