Takim pune AKEP-ARKEP mbi implementimin e kodeve të pikave kombëtare dhe ndërkombëtare të sinjalizimit

foto takimi AKEP-ARKEPTiranë, më 31 Janar 2017- Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), me kërkesë të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Republikës së Kosovës (ARKEP), zhvilloi një takim pune me qëllim njohjen mbi përvojën e AKEP në administrimin e numeracionit, lidhur me implementimin e kodeve të pikave kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ky takim u zhvillua në kuadër të përcaktimit të kodit ndërkombëtar për Republikën e Kosovës, nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU) dhe kishte në fokus administrimin dhe implementimin e kodeve të pikave kombëtare dhe ndërkombëtare të sinjalizmit si dhe përvojën e AKEP në administrimin  e kodeve dhe komunikimet me ITU.

Republika e Kosovës, pas alokimit nga ITU të kodit ndërkombëtar (+383), po kryen migrimin nga kodet aktuale në përdorim, duke stabilizuar dhe përmirësuar kushtet e shërbimit për konsumatorët dhe operatorët.