Shërbimi i akses internetit - Si të kontraktojmë

Informacion i Përgjithshëm

Kontratat e pajtimit për shërbimin e akses Internetit, ose kushtet e përgjithshme, ose kushtet e veçanta, përmbajnë informacionin e duhur që duhet marrë në konsideratë kur nënshkruajmë për një shërbim të veçantë.

Përpara nënshkrimit të kontratës së shërbimit, ju duhet të jeni informuar me kushtet e saj kryesore, që do të thotë që gjithë përdoruesit potencialë duhet të lexojnë me kujdes përmbajtjen, përpara se të marrin përsipër detyrimet kontraktuale.  

Përmbajtja e Kontratave të pajtimit të shërbimit të Akses Internetit


Me qëllimin e vendosjes së kushteve që sigurojnë mbrojtjen e përdoruesve, duhen respektuar kërkesat e Ligjit nr. 9918, datë 19.05.2008. Kontrata duhet të jetë në format të printuar, lehtësisht të lexueshëm dhe të kuptueshëm dhe në veçanti, duhet të përmbajë:
a) emrin dhe adresën e sipërmarrësit;
b) identitetin e plotë të pajtimtarit dhe adresën e tij;
c) shërbimet e ofruara, cilësinë e shërbimit të ofruar, si dhe kohën për lidhjen fillestare;
ç) llojin dhe mënyrën e mirëmbajtjes së shërbimeve të ofruara;
d) një informacion të hollësishëm për tarifat, si dhe periudhën kohore për njoftimin e çdo ndryshimi të tyre;
dh) një informacion për hyrjen në fuqi, kohëzgjatjen e kontratës së pajtimtarit, kushtet për shtyrjen dhe përfundimin e kontratës dhe të ofrimit të shërbimeve;
e) mënyrat e kompensimit dhe të rimbursimit në rastet kur shërbimi i kontraktuar nuk plotëson nivelin e cilësisë së parashikuar në kontratë;
ë) udhëzime për procedurat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve;
f) detyrimin për njoftim të përdoruesve për ndryshimet e parashikuara në kushtet e kontratës së pajtimtarit dhe udhëzimet për mënyrën e veprimit për pranimin e kushteve të reja, shtyrjen ose përfundimin e kontratës;
g) mundësinë që të dhënat e përdoruesit të mos publikohen në numëratorin telefonik;
gj) proçedurat në rast të moskryerjes së pagesës apo të kryerjes me vonesë të pagesave për shërbimet;
h) të dhënën për miratimin e Kontratës nga AKEP.

Miratimi i Kontratave nga AKEP

Sipërmarrësit e shërbimit të akses Internetit duhet të hartojnë dhe të paraqesin Kontratën tip të pajtimit, për t’u miratuar nga AKEP.  

Sipërmarrësit, Kontrata e pajtimit të të cilëve është miratuar nga AKEP, duhet ta bëjnë të ditur në Kontratë vendimin përkatës.