Sherbimi Universal

Çfarë është Shërbimi Universal?

Shërbimi universal është një minimum i përcaktuar shërbimesh, të një cilësie të caktuar, i mundshëm për të gjithë përdoruesit në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga vendndodhja gjeografike, me çmime të përballueshme.

Shërbimi universal përfshin:

a) lidhjen, me kërkesën e tij, të përdoruesit fundor në rrjetin publik telefonik, duke siguruar akses në shërbimet telefonike, të disponueshme për publikun nga një vendndodhje gjeografike e përcaktuar, duke i krijuar mundësi përdoruesit të bëjë dhe të marrë thirrje lokale, kombëtare e ndërkombëtare, komunikimin me faks dhe komunikimin e të dhënave, me një shpejtësi jo më të vogël se 32 kbit/s;

b) publikimin e numëratorit telefonik në formë të printuar (pa përjashtuar edhe atë në formë elektronike), që përmbush kërkesat e përgjithshme të përcaktuara në pikën 2 të këtij neni;

c) sigurimin e telefonave publikë me pagesë, duke plotësuar nevojat e arsyeshme të përdoruesve fundorë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Telefonat publikë me pagesë duhet të mundësojnë lidhjen me shërbimet e emergjencës pa pagesë dhe pa qenë nevoja e përdorimit të mjetit të pagesës, të parashikuar për to;

ç) sigurimin e kushteve për akses të barasvlershëm dhe përdorimin e shërbimeve telefonike të disponueshme për përdoruesit fundorë, me aftësi të kufizuara, duke përfshirë akses në shërbimet e thirrjeve të emergjencës dhe për informimin në numëratorin telefonik për të gjithë përdoruesit në Republikën e Shqipërisë.