PROCEDURAT E ZGJIDHJES TE MOSMARREVESHJEVE

Referuar nenit 9, 37, 55 dhe 56 të Ligjit 46/2015, AKEP është autoriteti kombëtar përgjegjës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis përdoruesve dhe ofruesve të shërbimeve postare si dhe të mosmarrëveshjeve të lindura midis ofruesve të shërbimeve postare.

Çdo përdorues i shërbimeve postare, ka të drejtë të ankohet apo të kërkojë sqarime tek ofruesi i shërbimeve postare, në rast se vëren shkelje në përmbushjen e termave dhe kushteve të përgjithshme të ofrimit të shërbimit postar, të tarifave të ofruara nga ofruesi i shërbimeve postare si dhe të cilësisë së shërbimit të ofruar.

AKEP, në zbatim dhe plotësim të detyrimit ligjor lidhur me të drejtën e ankimit dhe me proçedurat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, ka hartuar dhe miratuar Rregulloren nr.39, datë 17/12/2015, “Për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve midis Përdoruesve dhe Ofruesit të Shërbimit Postar dhe midis Ofruesve të Shërbimeve Postare”.

Mosmarrëveshje ndërmjet përdoruesit dhe ofruesit të shërbimit postar:

Nëse mosmarrëveshja ndërmjet përdoruesit dhe ofruesit të shërbimit postar, nuk zgjidhet sipas proçedurave të ankesave, sipas parashikimit të nenit 37 të Ligjit nr.46/2015 “Për shërbimet postare në Republikën e Shqipërisë”, përdoruesi ka të drejtë brenda 15-ditëve nga marrja e përgjigjes me shkrim nga ofruesi i shërbimit postar t’i drejtohet AKEP me shkrim, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

Ankesa pranë AKEP për zgjidhjen e mosmarrëveshjes paraqitet duke plotësuar formularin përkatës (Formular kërkesë/ankim). AKEP për shqyrtimin dhe trajtimin e ankesave dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, sipas parashikimit të kryer në Rregulloren nr.39, datë 17/12/2015, ngren për çdo rast Komisionin e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve.

Pas paraqitjes së ankesës nga përdoruesi i shërbimeve postare, struktura e dedikuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe e mbrojtjes së konsumatorit pranë AKEP, shqyrton dhe vlerëson paraprakisht kërkesën lidhur me përmbushjen e kritereve formalë ligjorë, si legjitimimi, afati, forma dhe çdo kriter tjetër të parashikuar nga Ligji dhe Rregullorja e AKEP.

Verifikimi paraprak i dokumentacionit është baza mbi të cilën gjykohet dhe vlerësohet nëse ankesa do të jetë ose jo objekt i shqyrtimit nga AKEP.

Mosmarrëveshje ndërmjet ofruesve të shërbimit postar:

KZM fillon një proçedurë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me marrjen e kërkesës së secilës palë në mosmarrëveshje.

Kërkesa pranë AKEP për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis ofruesve të shërbimeve postare kryhet me plotësimin e formularit përkatës (Formular kërkese për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve).

Kërkuesi duhet të vërtetojë se ka bërë të gjitha përpjekjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me palën tjetër, përpara se t’i drejtohet AKEP-it për zgjidhje. Për këtë duhet të depozitojë bashkë me kërkesën për zgjidhjen e mosmarrëveshje edhe kopje të 6 dokumentave/provave të korrespondencave, të shkëmbyera mes palëve në mosmarrëveshje.

Me marrjen e kërkesës me shkrim nga ofruesi i shërbimeve postare, struktura e dedikuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe e mbrojtjes së konsumatorit pranë AKEP, verifikon paraprakisht kërkesën lidhur me përmbushjen e kritereve formalë ligjorë, si dhe objektin e mosmarrëveshjeve nëse është ose jo në përputhje me të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara në Ligjin nr.46/2015 “Për shërbimet postare në Republikën e Shqipërisë” dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.

Verifikimi paraprak i dokumentacionit është baza mbi të cilën gjykohet dhe vlerësohet nëse kërkesa do të jetë ose jo objekt i shqyrtimit.