Categories
Njoftime Slideshow

AMA-AKEP: Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit

Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare nënshkruan nё datёn 03.11.2021, Memorandumin e Bashkëpunimit me qëllim garantimin dhe mbështetjen operacionale, teknike dhe ligjore në fushat me interes të përbashkët për të dyja palët.

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive Znj.Armela Krasniqi u shpreh se ky memorandum është shprehje e vullnetit të përbashkët, për të diskutuar dhe adresuar të gjitha problematikat me të cilat hasen dy institucionet tona. Znj.Krasniqi e vlerësoi tejet të rëndësishëm këtë moment pasi ky memorandum bashkëpunimi është edhe një nga rekomandimet e Kuvendit tё RSH për autoritetin.

Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare Z.Tomi Frashëri nënvizoi rëndësinë e këtij memorandumi dhe bashkëpunimin në ato fusha ku dy institucionet kanë pikëtakim në funksion të interesit më të lartë publik.

Përmes këtij memorandumi, institucionet angazhohen të bashkëpunojnë për realizimin dhe zbatimin e tij, në një mënyrë sa më të shpejtë dhe efikase por edhe për realizimin sa më cilësor të qëllimit të tij.

Të dy institucionet gjithashtu do të bashkëpunojnë për:

  • lirimin e brezit 700 MHz (të ashtuquajtur DD2), nga AMA dhe marrjen në administrim të këtij brezi nga AKEP, duke shkuar drejt respektimit të afateve të vendosura nga BE dhe ITU;
  • ngritjen e një TASK-FORCE me përfaqësues të përbashkët nga të dy institucionet me qëllim luftën kundër kundër paligjshmërisë në transmetimet pa të drejta autori përmes rrjeteve të komunikimeve elektronike dhe zhvillimin e veprimtarisë vetëm nga subjekte të licencuara/autorizuara nga autoritetet rregullatorë;
  • ngritjen e një grupi të përbashkët, i cili do të ndjekë në vijueshmëri problemet e interferencave të shkaktuara nga subjekte, veprimtaria e të cilëve përfshihet në fushën e veprimit të këtyre institucioneve si dhe interferencave që raportohen nga autoritetet rregullatore të vendeve fqinjë;
  • krijimin e një inventari të unifikuar të frekuencave bazuar në detyrimet ligjore të përcaktuara për të dy institucionet lidhur me “Miratimin e programit shumëvjeçar për politikën spektrale dhe të planit të veprimit” si dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të saj.

Memorandumi i Bashkëpunimit