Categories
Njoftime

Mbi takimin me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Kosovës

Mbi takimin me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Kosovës

“Mbi zbatimin e Memorandumit tё Bashkёpunimit për krijimin e korridorit digjital 5G dhe lehtësimin e lëvizjes në të ardhmen”

Në datën 28.10.2021, në ambjentet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Kosovës, u zhvillua një takim mes përfaqësuesve të kësaj Ministrie: Z. Agim Kukaj, Drejtor i Departamentit të Postë-Telekomunikacionit dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Znj. Fjolla Restelica, Shef i Njësisë së Zbatimit të Projektit (PIU) në Projektin KODE, përfaqësuesve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë: Znj. Eriola Muka, Drejtor i Përgjithshëm i Departamentit të Politikave dhe Zhvillimit të Infrastrukturës dhe Territorit, Znj. Irena Malolli, Drejtor i Drejtorisë së Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit të Telekomunikacionit dhe Postave, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të Autoriteteve Rregullatore, ARKEP dhe AKEP.

Përfaqësues të AKEP në këtë takim, ishin Z. Jetmir Braha, Drejtor i Drejtorisë së Autorizimeve dhe Z. Vasil Mitezi, Drejtor i Drejtorisë së Kontrollit, Monitorimit dhe Inspektimit.

Përfaqësues të ARKEP në këtë takim, ishin Z. Visar Halimi, Shef i Departamentit të Menaxhimit të Frekuencave dhe Z. Ilir Imeri, Shef i Departamentit të Komunikimeve Elektronike.

Ky takim u zhvillua në zbatim të Memorandumit të Bashkëpunimit për krijimin e korridorit digjital 5G dhe lehtësimin e lëvizjes në të ardhmen, të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e dy qeverive Shqipëri – Kosovë të zhvilluar në Tiranë më datё 02.10.2020.

Gjatё takimit u theksua domosdoshmёria për vijuar më tej bashkëpunimin midis dy vendeve, në hartimin e politikave dhe programeve të zhvillimit të rrjeteve 5G, në përcaktimin e standardeve për rrjete të sigurta dhe lëvizshmërinë bazuar në praktikat e mira të  BE-së dhe angazhimet ndërkombëtare për rrjetet e pastra.

Bashkëpunimi në këtë fushë, bazohet në zhvillimet teknologjike bashkëkohore dhe në angazhimet e marra me miratimin e Planit rajonal të Ballkanit Perëndimor, në deklaratën e përbashkët të Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, në Samitin e Sofjes më 17 Maj 2018, si dhe në iniciativat e Bashkimit Evropian për “5G Corridors dhe Automated Driving Cars”.

Mbi këtë bazë dhe në prespektivën e zhvillimeve, është rënë dakord të punohet për krijimin e korridorit digjital 5G Prishtinë-Tiranë dhe lehtësimin e lëvizshmërisë në të ardhmen.

Në këtë takim, u  trajtuan tematikat e detajuara të Memorandumit të bashkëpunimit dhe u vendosen afate për çdo tematikë.

Në takim përfaqësuesit e Autoriteteve Rregullatore, prezantuan gjendjen aktuale të frekuencave 5G (700 MHz, 3400-3800 MHz dhe 26 GHz), lirimin e spektrit 700 MHz në të dy vendet, nevojën e fillimit të koordinimit ndërkufitar për frekuencat 5G, identifikimin dhe përcaktimin e standardeve për rrjete të sigurta, etj.

Në këtë takim u ra dakord për një qasje të koordinuar dhe për harmonizimin e spektrit të frekuencave për 5G, si dhe palët të bashkëpunojnë në caktimin e brezave pionere për 5G, sipas praktikës Evropiane, brenda vitit 2021, por jo më vonë se 30 qershor 2022.