Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike të Republikës së Maqedonisë së Veriut (AEK) nënshkruan në Shkup të premten më datë 21 tetor 2022 një Memorandum Mirëkuptimi dhe Marrëveshjen Teknike Ndërkufitare për Harmonizimin e Frekuencave.
Këto dy marrëveshje janë kurorëzim i një pune të filluar më shumë se një vit më parë, me rastin e vizitës së delegacionit të Autoritetit Rregullator të vendit fqinj në Tiranë në korrik 2021, dhe zëvendësojnë marrëveshjet e mëparshme mes dy autoriteteve.
Delegacioni i AKEP përbëhej nga Kryetari, Z. Tomi Frashëri, Anëtari i Këshillit Drejtues Z. Lorenc Bako, Drejtor i Kabinetit znj. Eriola Mosko, Këshilltar z. Armer Juka, dhe Drejtor i Drejtorisë së Monitorimit, Kontrollit dhe Inspektimeve z. Vasil Mitezi. Delegacioni ishte i shoqëruar nga Shkëlqesia e Tij, Z. Fatos Reka, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë takimit të punës, palët vlerësuan marrëdhëniet e ngushta midis autoriteteve, jo vetëm në nivel drejtuesish, por në të gjitha nivelet, të cilat kanë qenë instrumentale për arritjen e synimeve të përbashkëta, si marrëveshja RLAH për heqjen e tarifave roaming midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendosja në agjendë e objektivit të uljes dhe përshtatjes së tarifave të roaming-ut midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. Drejtuesit e institucioneve u pajtuan për nevojën e një koordinimi të vazhdueshëm të frekuencave në zonat kufitare për përdorimin me efikasitet të spektrit dhe për akses të barabartë në spektër.
Autoritetet u angazhuan të fokusojnë bashkëpunimin e tyre drejt prioritetit të konektivitetit dhe ndërlidhjes digjitale, veçanërisht sa i përket implementimit në të ardhmen e afërt të gjeneratës së pestë të teknologjive mobile (5G) për rrjetet e komunikimeve elektronike.
Kryetari i AKEP, Z. Frashëri, theksoi rëndësinë e partneritetit AKEP-AEK si një motor i proceseve harmonizuese dhe integruese në fushën e komunikimeve elektronike në rajonin e Ballkanit Perëndimor.