Më 23-24 shtator 2024, AKEP mori pjesë në Forumin Rajonal Vjetor të Rregullatorëve ITU-EKIP në Budva, Mal i Zi, me temë “Vizion për Lidhjen: Inovacioni i së Ardhmes së Rregullimit dhe Sigurisë së Telekomunikacionit”. Në këtë event AKEP u përfaqësua nga z. Armer Juka, Anëtar i Bordit, si dhe z. Vasil Mitezi, Drejtor i Drejtorisë së Monitorimit dhe Inspektimit.
Në fjalën e tij, z. Juka informoi pjesëmarrësit mbi përparimin e rëndësishëm të Shqipërisë në sektorin e komunikimeve elektronike gjatë vitit të fundit. Si arritje kryesore ai theksoi miratimin e Direktivave EECC dhe NIS 2 në legjislacionin e brendshëm, si dhe nisjen e procesit të tenderimit për frekuencat 5G.
Krahas Konferencës, AKEP dhe ITU zhvilluan edhe një takim të paracaktuar për të diskutuar përparimin e punës në vijim midis të dy institucioneve. Gjatë takimit, z. Juka e informoi z. Jaroslaw Ponder, Kreu i ITU-së për Evropën, mbi miratimin e ligjit të ri sektorial si dhe afatet e parashikuara për shfrytëzimin e brezit 3400-3800 MHz. Gjithashtu, z. Juka shprehu në emër të z. Tomi Frashëri, Kryetar i Bordit të AKEP, mirënjohjen e thellë për mbështetjen cilësore dhe në kohë që ITU ka ofruar për autoritetin rregullator që nga takimi i një viti më parë, midis z. Frashëri dhe z. Zavazava, Drejtor i Byrosë së Zhvillimit të Telekomunikacionit të ITU. Z. Ponder rikonfirmoi angazhimin e ITU për të përfunduar punën për hartën e gjerësisë së brezit deri në fund të këtij viti, si dhe për të nisur projektin për monitorimin e spektrit jo më vonë se fillimi i vitit 2025. Palët gjithashtu diskutuan mundësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm për rritjen e efikasitetit organizativ, me synim përgatitjen e një autoriteti rregullator të përshtatshëm për epokën digjitale.