Komisioni parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi ditën e mërkurë, 24 Prill 2024, një vizitë monitoruese në pikën e transmetimit të Ardenicës, një nyje kryesore e backbone-it kombëtar drejt Jugut të vendit.
Komisioni, i cili kryesohej nga Kryetari Z. Arben Pëllumbi, u mirëprit nga Kryetari i AKEP-it, Z. Tomi Frashëri, anëtarët e Këshillit Drejtues Znj. Edlira Dvorani, Z. Lorenc Bako, Z. Armer Juka, dhe Z. Bleron Dokle, si dhe nga stafi teknik i institucionit.
Nga AKEP, Z. Vasil Mitezi, Drejtor i Drejtorisë së Monitorimit, Kontrollit dhe Inspektimit zhvilloi një prezantim të përgjithshëm të tipologjisë së kësaj pike të transmetimit dhe rolit që ajo luan në ndërlidhjen e rrjeteve të komunikimeve elektronike në vendin tonë.
Ekipi i monitorimit demonstroi në terren përpara anëtarëve të Komisionit mënyrën e operimit të monitorimit të frekuencave nga stacioni fiks i monitorimit (RFMS) në Fier për brezin 20-8000 MhZ për mbarë zonën, monitorimin e lëvizshëm dhe monitorimin e emetimeve për kontrollin e
kushteve të përdorimit të frekuencave.
Ekspertët e AKEP vijuan me paraqitjen e punës së monitorimit të cilësisë së shërbimit (Quality of Service – QoS) dhe atë të monitorimit të nivelit të rrezatimit jo-jonizues rreth stacioneve transmetuese.
Përpara se vizita e punës të përmbyllej me një sesion të shkurtër pyetje-përgjigjesh, Z. Bledar Kazia, Drejtor i Drejtorisë Teknike, shpjegoi rolin e AKEP-it në çështjet e sigurisë së rrjeteve dhe ato kibernetike.