Categories
Njoftime

Njoftim mbi dhënien e autorizimeve individuale për përdorimin e frekuencave në brezin 3,5 GHz për sipërmarrësit e komunikimeve elektronike ONE Albania sh.a  dhe Vodafone Albania sh.a

Me vendimet nr. 29 dhe nr. 30, të datës 25 nëntor 2024, Këshilli Drejtues i AKEP-it miratoi dhënien e autorizimeve individuale për përdorimin e frekuencave në brezin 3,5 GHz për sipërmarrësit e komunikimeve elektronike ONE Albania sh.a  dhe Vodafone Albania sh.a.

Sipërmarrësi ONE Albania sh.a merr në përdorim 120 MHz në brezin e frekuencave 3420-3540 MHz (spektër i paçiftuar), ndërsa Vodafone Albania sh.a merr në përdorim po 120 MHz në brezin 3680-3800 MHz, spektër i paçiftuar.

Pajisja e sipërmarrësve me autorizimet individuale kryhet pas realizimit me sukses të tenderit publik me procedurë të hapur me objekt: “Mbi dhënien e të drejtave të përdorimit në brezin e frekuencave 3400 – 3800 MHz (3.5 GHz)” dhe pas shlyerjes, nga ana e sipërmarrrësve fitues, të pagesave përkatëse në buxhetin e shtetit dhe në llogarinë e AKEP-it.

Në përputhje me kushtet e Autorizimeve Individuale, sipërmarrësit janë të detyruar që, përmes këtyre frekuencave, të mbulojnë me shërbim 55% të popullsisë deri në fund të vitit 2027 dhe 85% të popullsisë deri në fund të vitit 2030. Brenda vitit 2025, sipërmarrësit kanë detyrimin të sigurojnë mbulimin e porteve, aeroporteve dhe disa hapësirave të tjera me rëndësi social-ekonomike. Mes kushteve të tjera të përdorimit të këtyre frekuencave, sipërmarrësit ONE Albania dhe Vodafone Albania marrin përsipër angazhimin që të negociojnë me sipërmarrës të tjerë, si operatorët virtualë (MVNO-të), aksesin në kapacitetet e tyre radio, në funksion të politikës rregullatore të AKEP-it për të nxitur konkurrencën në nivel shërbimesh.

Lançimi i teknologjisë 5G brenda këtij viti shënon një etapë kyçe për vendin tonë në përmbushjen e agjendës digjitale, sipas planit broadband të Këshillit të Ministrave dhe objektivave të Bashkimit Europian. Në dhënien e autorizimeve në brezin 3400-3800 MHz, njërin nga brezat pionerë të 5G-së, Shqipëria ka ndjekur nga afër ecurinë dhe ritmin e Bashkimit Europian, ku Mbretëria e Vendeve të Ulëta ishte shteti i fundit anëtar që akordoi në korrik të 2024-ës autorizimet e përdorimit në këtë brez.

AKEP-i mbetet i përkushtuar të vendosë sa më parë, në përdorim të sektorit të komunikimeve elektronike brezin 700MHz, brezin tjetër kryesor të 5G-së, pas lirimit të tij nga mediat audiovizuale, me synim mbulimin e plotë të territorit dhe të popullsisë me shërbim cilësor 5G.