Categories
Notifications Slideshow

Takimi AKEP-AKCESK

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK) zhvilluan një takim në selinë e AKEP më datë 22.12.2022.

Fokusi i takimit ishte rritja e bashkëpunimit ndër-institucional në sfondin e kërcënimeve vijuese ndaj sigurisë kibernetike dhe adoptimi i një kuadri normativ dhe praktikash administrative adekuate për adresimin e kësaj sfide.

Drejtori i Përgjithshëm i AKCESK Z.Igli Tafa, prezantoi zhvillimet e natyrës institucionale dhe nismat ligjore të ndërmarra në funksion të implementimit të standarteve të Bashkimit Europian në fushën e sigurisë kibernetike. Nga ana e tij, Kryetari i AKEP Z. Frashëri shpjegoi rolin e institucionit që ai drejton në çështjet e sigurisë së rrjeteve të komunikimeve elektronike dhe praktikat operacionale të bashkëpunimit si dhe mbikqyrjes së operatorëve të sektorit.

Kryetari i AKEP prezantoi masat e ndërmarra nga Autoriteti gjatë dy-tre viteve të fundit për rritjen e sigurisë së infrastrukturave të brendshme, për vlerësimin e risqeve, si dhe për ndjekjen dhe bashkërendimin në kohë reale të situatave që paraqesin një kërcënim apo shkelje të sigurisë kibernetike.

Të dy institucionet vlerësuan faktin se garantimi i sigurisë kibernetike është një mision gjithëpërfshirës dhe implikon një bashkëpunim të ngushtë të të gjithë aktorëve të sistemit. Në këtë këndvështrim, është një domosdoshmëri përcaktimi i qartë i roleve dhe përgjegjësive, dhe i mënyrës së bashkëpunimit dhe raportimit, midis operatorëve të infrastrukturave kyçe, private apo publike, Qendrave Sektoriale të Operacioneve të Sigurisë (SOC sektorial) – AKEP në rastin e komunikimeve elektronike – dhe Qendrës kombëtare të Operacioneve të Sigurisë (SOC kombëtar) të përfaqësuar nga AKCESK.

Palët u angazhuan të punojnë për hartimin dhe nënshkrimin e një memoradumi mirëkuptimi i cili do të ketë për synim jetësimin në terma konkretë të një bashkëpunimi efektiv dhe të shpejtë sikundër diktohet nga vetë natyra e sigurisë kibernetike.