PUBLIKOHEN TREGUESIT STATISTIKORË TË KOMUNIKIMEVE ELEKTRONIKE PËR TREMUJORIN E DYTË 2017

Bazuar në të dhënat statistikore të raportuara nga sipërmarrësit e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimive elektronike, AKEP ka publikuar dokumentin “Treguesit statistikore të tregut të komunikimeve elektronike Tremujori i Dytë 2017”.

Raporti është përgatitur nga AKEP sipas të dhënave të depozituara nga rreth 100 sipërmarrës të rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe përmban tregues të tregut të komunikimeve elektronike për pesë tremujorët e fundit (T2 2016-T2 2017) dhe vitet 2014 dhe 2015.

Shërbimet nga rrjetet celulare

Numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare sipas kartave SIM në fund të T2 2017 ishte rreth 5.35 milion, që përbën një rritje me 1.6% në krahasim me tremujorin e mëparshëm, dhe një rritje me 10.9% në krahasim me T2 2016.

Numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare gjatë T2 2017 arriti në rreth 3.4 milionë që përbën një rritje me rreth 0.3% me T1 2017 dhe rënie me 2 % në krahasim me T2 2016.

Numri i përdoruesve aktivë të aksesit broadband në Internet nga rrjetet celulare në T2 2017 ishte rreth 1.8 milionë që përbën një rritje me 3.5% me tremujoin e mëparshëm, por rritje me të ndjeshme me 25.4% në krahasim me Tremujorin e dytë 2016.

Totali thirrjeve dalëse të gjeneruara nga pajtimtarët celularë në Shqipëri në T2 2017 ishte rreth 1.7 miliardë minuta, me një rritje prej 2.4 % në krahasim me tremujorin paraardhës, por me një rënie prej 0.1% me të T2 2016. Sasia e thirrjeve drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare (off-net) u rrit me 7.7% në krahasim me T1 2017 dhe me 22 % në krahasim me një vit më parë në T2 2016. Raporti i thirrjeve on-net/off-net në T2 2017 ishte 55%/45% krahasuar me 63%/37% në T2 2016.

Numri i mesazheve SMS të dërguara nga pajtimtarët e rrjeteve celulare në T2 2017 ishte rreth 370 milion që përbën një rritje me 2 % krahasuar me T1 2017 dhe një rënie me 7.2% me T2 2016;

Sasia e trafikut data (Internet) në rrjetet celuare gjatë T2 2017 ishte rreth 10.7 Milion GByte që përbën një rritje me 11.2% në krahasim me T1 2017.

Konsumi mesatar mujor për përdorues aktiv i shërbimeve celulare gjatë T2 2017 ishte: 168 minuta thirrje dalëse, 37 SMS dhe 1.95GB Internet. Konsumi mesatar i thirrjeve dhe SMS-ve pati rritje respektivisht  me 2 % dhe 1.6% krahasuar me T1 2017, konsumi mesatar i internetit pati rritje me 7.7% krahasuar me T1 2017.

Shërbimet nga rrjetet fikse

Numri i pajtimtarëve të linjave të telefonisë fikse në fund të T2 2017 ishte rreth 246 mijë, që përbën një rënie me 0.6% në krahasim me T1 2017 dhe një rënie me 3.5% në krahasim me T2 2016.

Numri i pajtimtarëve më akses Broadband në internet nga rrjete fikse në T2 2017 arriti në rreth 279 mijë, që përbën një rritje me 5.0% në krahasim me tremujoin e mëparshëm dhe një rritje  me rreth 9.6% në krahasim me të njëjtin tremujor në vitin 2016.

Numri i pajtimtarëve të rrjeteve fikse që kanë akses në shërbime të integruara (Telefoni/Internet/TV) në fund të 3-mujorit të dytë 2017  arriti në rreth 194 mijë, një rritje kjo 2.8% në krahasim me T1 2017 dhe rreth 11.3 % me T2 2016.

Numri i pajtimtarëve me paketa trefishe (Telefoni, Internet dhe TV) përbën 49% të totalit të pajtimtarëve me paketa të integruara ndërsa 40% janë me paketa “Internet dhe Telefoni” dhe 11% me paketa “Internet dhe TV”.

70% e pajtimtarëve me akses broadband në rrjete fikse në fund të T2 2017 ishin pajtimtarë me paketa të integruara (Telefoni/Internet/TV), ku 34% janë me paketa trefishe (Telefoni, Internet dhe TV).

Për më shumë informacion klikoni këtu.