PUBLIKOHEN TREGUESIT STATISTIKORË TË KOMUNIKIMEVE ELEKTRONIKE PËR TREMUJORIN E TRETË 2017

Bazuar në të dhënat statistikore të raportuara nga sipërmarrësit e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimive elektronike, AKEP ka publikuar dokumentin

Treguesit statistikore të tregut të komunikimeve elektronike Tremujori i Tretë 2017. Raporti është përgatitur nga AKEP sipas të dhënave të depozituara nga sipërmarrësit e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe përmban tregues të tregut të komunikimeve elektronike për pesë tremujorët e fundit (T3 2016-T3 2017) dhe vitet 2014 dhe 2015. 

Shërbimet nga rrjetet celulare

Numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare sipas kartave SIM në fund të T3 2017 ishte rreth 5.613.000 që përbën një rritje me 4.9% në krahasim me tremujorin e mëparshëm, dhe një rritje me 3.6% në krahasim me T3 2016;

Numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare gjatë T3 2017 arriti në rreth 3.4 milionë që përbën një rënie me rreth 1.6% me T2 2017 dhe rënie me 15.6 % në krahasim me T3 2016;

Numri i përdoruesve aktivë të aksesit broadband në Internet nga rrjetet celulare në T3 2017 ishte rreth 2.1 milionë që përbën një rritje me 18.4% me tremujoin e mëparshëm, dhe një rritje me 17.8% në krahasim me Tremujorin e tretë 2016.

Totali thirrjeve dalëse të gjeneruara nga pajtimtarët celularë në Shqipëri në T3 2017 ishte rreth 1.7 miliardë minuta, me një rritje prej 0.3 % në krahasim me tremujorin paraardhës, por me një rënie prej 3.9% me T3 2016. Sasia e thirrjeve drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare (off-net) u rrit me 0.4% në krahasim me T2 2017 dhe me 9.7% në krahasim me një vit më parë në T3 2016. Raporti i thirrjeve on-net/off-net në T3 2017 ishte 55%/45% krahasuar me 60%/40% në T3 2016.

Numri i mesazheve SMS të dërguara nga pajtimtarët e rrjeteve celulare në T3 2017 ishte rreth 336 milion që përbën një rënie me 9.2 % krahasuar me T2 2017 dhe një rënie me 17.5% me T3 2016;

Sasia e trafikut data (Internet) në rrjetet celuare gjatë T3 2017 ishte rreth 12.4 Milion GByte që përbën një rritje me 16.1% në krahasim me T2 2017.

Konsumi mesatar mujor për përdorues aktiv i shërbimeve celulare gjatë T3 2017 ishte: 172 minuta thirrje dalëse, 34 SMS dhe 1.91GB Internet. Konsumi mesatar i thirrjeve u rrit me 2.2% në krahasim me T2 2017 dhe rënie me 7.5% dhe 1.9% respektivisht për mesazhe SMS dhe të dhëna (Internet). 

Shërbimet nga rrjetet fikse

Numri i pajtimtarëve të linjave të telefonisë fikse në fund të tremujorit të tretë 2017 ishte rreth 246 mijë, që përbën një rënie me 0.03% në krahasim me T2 2017 dhe një rënie me 3.4% në krahasim me T3 2016.

Numri i pajtimtarëve më akses Broadband në internet nga rrjete fikse në T3 2017 arriti në rreth 288 mijë, që përbën një një rritje me 2.9 % në krahasim me tremujoin e mëparshëm dhe një rritje  me rreth 9.9% në krahasim me të njëtin tremujor në vitin 2016. 

Numri i pajtimtarëve të rrjeteve fikse që kanë akses në shërbime të integruara (Telefoni/Internet/TV) në fund të 3-mujorit të dytë 2017  arriti në rreth 199 mijë, një rritje kjo 2.3% në krahasim me T2 2017 dhe rreth 12.1 % me T3 2016. 

Numri i pajtimtarëve me paketa trefishe (Telefoni, Internet dhe TV) përbën 50% të totalit të pajtimtarëve me paketa të integruara ndërsa 39% janë me paketa “Internet dhe Telefoni” dhe 11% me paketa “Internet dhe TV”.

69% e pajtimtarëve me akses broadband në rrjete fikse në fund të T3 2017 ishin pajtimtarë me paketa të integruara (Telefoni/Internet/TV), ku 34% janë me paketa trefishe (Telefoni, Internet dhe TV).

Për më shumë informacion klikoni këtu.