Z. Ilir Zela zgjidhet Kryetar i ri i Këshillit Drejtues të AKEP

Z. Ilir Zela është zgjedhur Kryetari i ri  i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) me propozim të Këshillit të Ministrave si dhe me Vendimin të  Kuvendit të Shqipërisë Nr. 110/2017

"Për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare",  në mbështetje të nenit 78 të Kushtetutës, të nenit 114, pika 3, të ligjit nr. 9918, datë 19.5.2008, "Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqiperisë", të ndryshuar, si dhe të nenit 111 të Rregullorës së Kuvendit.

I diplomuar si Inxhinier Elektronik, në vitin 1993, e më pas Master në Telekomunikacion dhe në Inxhinierinë e Informacionit, në Universitetin Politeknik të Tiranës, z. Ilir Zela ka një karrierë të gjatë në fushën e telekomunikacioneve dhe një kontribut të spikatur në sektorin publik. Ai e ka nisur karrierën e tij profesionale, si Inxhinier në Drejtorinë e Komunikimeve të Tranzitit, në Telekomin Shqiptar, për ta vazhduar si Ekspert në Departamentin e Shtetit për Telekomunikacionet, deri në vitin 1997. Prej vitit 2006 deri ne 2009, z. Zela ka punuar në Entin Rregullator të Telekomunikacioneve, dhe ka ofruar ekspertizën e tij si Anëtar i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Prej vitit 2010 deri ne 2013, ai ka punuar në ALBtelecom sh.a, në pozicione të larta drejtuese, ndër të cilët si drejtues i Grupit Rregullator.

Prej vitit 1997 deri në vitin 2005, z. Zela ka shërbyer si Deputet i Kuvendit të Shqipërisë në legjislaturat XV dhe XVI, ku ka drejtuar komisionin e Industrisë dhe atë të Politikës së Jashtme. Në veprimtarinë parlamentare të tij spikat iniciimi dhe hartimi i Ligjit “Për Rolin e Kuvendit në Procesin e Integrimit Europian”. Gjatë vitit 2000 ai ka shërbyer si Ministër Shteti pranë Kryeministrit si dhe Ministër i Punëve Publike. Gjatë periudhës 2014-2016, z. Zela ka drejtuar Inspektoratin Qendror.

Veprimtaria  në sektorin publik e z. Ilir Zela është mbështetur edhe nga njohuritë e përfituara prej diplomimit për Qeverisje Ekonomike dhe Reforma në Universitetin e Bradfordit në Mbretërinë e Bashkuar, si pjesë e Programit Chevening Fellowship, si dhe përmes diplomimit Master në Administrim Biznesi nga Universiteti i Tiranës dhe ai i Nebraskës.

Z. Zela zotëron në nivel operacional gjuhën angleze dhe është njohës i mirë gjuhës frenge dhe italiane.