Publikohen treguesit statistikore të komunikimeve elektronike për Tremujorin e Katërt 2017

Bazuar në të dhënat statistikore të raportuara nga sipërmarrësit e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimive elektronike, AKEP ka publikuar dokumentin "Treguesit statistikore të tregut të komunikimeve elektronike Tremujori i Katërt 2017” .

Raporti është përgatitur nga AKEP sipas të dhënave të depozituara nga sipërmarrësit e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe përmban tregues të tregut të komunikimeve elektronike për pesë tremujorët e fundit (T4 2016-T4 2017) dhe vitet 2014 dhe 2015.

Shërbimet nga rrjetet celulare

Numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare sipas kartave SIM në fund të T4 2017 ishte rreth 5,558,492 që përbën një ulje me 1% në krahasim me tremujorin e mëparshëm, dhe një rritje me 5.3% në krahasim me T4 2016.

Numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare gjatë T4 2017 arriti në rreth 3.5 milionë që përbën një rënie me rreth 5.9% me T3 2017 dhe rritje me 3.8 % në krahasim me T4 2016.

Numri i përdoruesve aktivë të aksesit broadband në Internet nga rrjetet celulare në T4 2017 ishte rreth 2 milionë që përbën një ulje me 5.9% me tremujoin e mëparshëm, dhe një rritje me 20.4% në krahasim me Tremujorin e katërt 2016.

Totali thirrjeve dalëse të gjeneruara nga pajtimtarët celularë në Shqipëri në T4 2017 ishte rreth 1.6 miliardë minuta, me një ulje prej 7.1 % në krahasim me tremujorin paraardhës dhe me një rënie prej 8.5% me të T4 2016.

Numri i mesazheve SMS të dërguara nga pajtimtarët e rrjeteve celulare në T4 2017 ishte rreth 334 milion që përbën një rënie me 0.4 % krahasuar me T3 2017 dhe një rënie me 16.5% me T4 2016.

Sasia e trafikut data (Internet) në rrjetet celuare gjatë T4 2017 ishte rreth 14 Milion GByte. Një përdorues aktiv i aksesit broadband celular ka përdorur 2.29 GB Internet në muaj në T4 2017, që përbën një rritje me 19.9% në krahasim me T3 2017 dhe një rritje 38.8% krahasuar me T4 2016.

Konsumi mesatar mujor për përdorues aktiv i shërbimeve celulare gjatë T4 2017 ishte: 150 minuta dalëse, 32 SMS dhe 2.29 GB Internet. Krahasuar me T3 2017, konsumi mesatar i thirrjeve pati një ulje me 1.2 %, konsumi mesatar i SMS-ve dhe konsumi mesatar i internetit pati rritje respektivisht me 5.9% dhe me 19.9%.

Shërbimet nga rrjetet fikse

Numri i pajtimtarëve të linjave të telefonisë fikse në fund të tremujorit të katërt 2017 ishte rreth 247 mijë, që përbën një rritje me 0.55% në krahasim me T3 2017 dhe një rënie me 0.7% në krahasim me T4 2016. AKEP ka kryer vlerësimin e këtij treguesi për periudhat para T4 2016 për shkak të ndryshimit të përkufizimit të tij në këtë tremujor (për më shumë detaje shiko shënimet në seksionin 4).

Numri i pajtimtarëve më akses Broadband në internet nga rrjete fikse në T4 2017 arriti në rreth 295 mijë, që përbën një një rritje me 2.4 % në krahasim me tremujoin e mëparshëm dhe një rritje  me rreth 10.6% në krahasim me të njëtin tremujor në vitin 2016.

Numri i pajtimtarëve të rrjeteve fikse që kanë akses në shërbime të integruara (Telefoni/Internet/TV) në fund të 3 mujorit të katërt 2017 arriti në rreth 198 mijë, një ulje kjo me 0.1% në krahasim me T3 2017 dhe rritje me 6.2 % krahasuar me T4 2016.

Numri i pajtimtarëve me paketa trefishe (Telefoni, Internet dhe TV) përbën 50% të totalit të pajtimtarëve me paketa të integruara ndërsa 41% janë me paketa “Internet dhe Telefoni” dhe 9% me paketa “Internet dhe TV”.

Rreth 67% e pajtimtarëve me akses broadband në rrjete fikse në fund të T4 2017 ishin pajtimtarë me paketa të integruara (Telefoni/Internet/TV), ku 34% janë me paketa trefishe (Telefoni, Internet dhe TV).

Për më shumë informacion klikoni këtu