Njoftim për Mediat

Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të AKEP të zhvilluar më datë 24.04.2018 sipas rendit të ditës të njoftuar, u miratua përfundimi i procedurës administrative të nisur nga AKEP me Urdhër nr. 64, datë 26. 03. 2018 “Për vlerësimin e ndryshimit të kohëzgjatjes së vlefshmërisë së paketave tarifore celulare me parapagim nga 30 në 28 ditë”

dhe u vendos rikthimi i kohëzgjatjes së vlefshmërisë së paketave tarifore celulare standard bundle me parapagim nga 28 ditë në mujore (30 ditë).

Ky proces u realizua nga AKEP në bashkëpunim me Autoritetin e Konkurrencës dhe rivendosja e kohëzgjatjes së vlefshmërisë së paketave tarifore celulare standard bundle me parapagim nga 28 ditë, në mujore (30 ditore), siguron  aplikimin e tarifave për shërbimet e ofruara në përputhje me ligjin nr. 9918, datë 19.05.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, si dhe garanton trajtimin e barabartë të pajtimtarëve.

Gjithashtu, vendosja e kësaj mase rregullatore nga AKEP përveç se garanton zbatimin e ligjit në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të përdoruesve, nxit dhe siguron konkurrencën e lirë dhe efektive në sektorin e komunikimeve elektronike.

AKEP, do të vazhdojë të mbikqyrë dhe monitorojë veprimtarinë e sipërmarrësve të rrjeteve dhe  shërbimeve publike të komunikimeve elektronike duke qenë i fokusuar në mbrojtjen e konsumatorit, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të ofruara dhe zbatimin e ligjshmërisë, për të rritur investimet efiçente në infrastrukturën e komunikimeve elektronike dhe zhvillimet e reja teknologjike për një cilësi të lartë të produkteve të tyre.