NJOFTIM PËR SHTYP PROCEDURA E TENDERIT PUBLIK MBI PROCEDURËN E HAPUR ME OBJEKT: “DHËNIA E TË DREJTAVE TË PËRDORIMIT NË BREZIN E FREKUENCAVE 800 MHZ (792-862 MHZ)”, REF. 1X10 MHZ I ÇIFTUAR-800-2018”

Sot më datë 07.02.2019, ora 10:00, në selinë  të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) u zhvillua procedura e tenderit publik me procedurë të hapur me objekt: “Dhënia e të drejtave të përdorimit në brezin e frekuencave 800 Mhz (792-862 mhz)”, ref. 1x10 Mhz i çiftuar-800-2018”.

Përdorimi i këtij brezi të frekuencave është në funksion të përmirësimit të cilësisë së ofrimit të shërbimit të komunikimeve elektronike për pajtimtarët si konsumatorë fundorë.

Procedura e tenderit u zhvillua për dhënien e 3 (tre) të drejtave të përdorimit në brezin e frekuencave 800 MHz (790-862 MHz), ku secila e drejtë përdorimi është bllok i çiftuar 10 MHz. 

Sipas dokumentave të tenderit, procedura e tenderit u zhvillua me tre raunde, ku çmimi minimal për një të drejtë përdorimi për secilin raund është 7,440,000 (shtatë milion e katërqind e dyzet mijë) Euro.

Ofertuesi i paraqitur në këtë tender publik ishte shoqëria Vodafone Albania Sh.a.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave vijoi me hapjen e procedurës së tenderit, në prani të përfaqësuesve të operatorëve celuar dhe medias.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave procedoi me hapjen e ofertës ekonomike të paraqitur nga shoqëria Vodafone Albania Sh.a, nga ku rezultoi se ishte ofruar shuma 7,440,001 (shtatë milion e katërqind e dyzet mijë e një) Euro, për marrjen e një të drejte përdorimi.

Më pas, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave u tërhoq për verifikimin e dokumentacionit ligjor, ekonomik e teknik, shoqërues të ofertës të paraqitur nga shoqëria Vodafone Albania sh,a, për një të drejtë përdorimi, për raundin e dytë.

Bazuar në dokumentat e tenderit, pas verifikimit të dokumentacionit, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, do të paraqesë raportin përmbledhës përpara Këshillit Drejtues të AKEP, për vendimarrje të mëtejshme.

AKEP, ka bindjen se ky proces do ti hapë rrugën investimeve të operatorëve për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të tyre dhe mundësinë e aksesit në to, për të gjithë përdoruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike.