AKEP merr pjesë në seminarin rajonal për europën dhe vendet CIS me temë "Menaxhimi i spektrit dhe Audiovizuali"

Italy-ITU

Më datat 29 -31 maj 2017, u zhvillua në Romë, Itali, Seminari Rajonal për Evropën dhe vendet CIS me temë “Menaxhimi i Spektrit dhe Audiovizuali”. Ky aktivitet u organizua nga Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve (ITU) në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik të Italisë. AKEP u përfaqësua në këtë seminar nga Z. Shefqet Meda – Drejtor i Drejtorisë së Burimeve të Fundme, Autorizimeve dhe Faciliteteve dhe nga Znj. Esmeralda Dervishi – Përgjegjëse e Sektorit të Autorizimeve dhe Faciliteteve. 

Seminari u mbajt në kuadër të iniciativës rajonale evropiane të miratuar nga WTDC-14 mbi Menaxhimin e Spektrit dhe kalimin në transmetimet dixhitale, me qëllimin e identifikimit të çështjeve dhe marrjen e masave për maksimizimin e përfitimeve sociale dhe ekonomike për sa i takon dividentit dixhital. Gjithashtu, u diskutua mbi sfidat që duhen përballuar në të ardhmen lidhur me shërbimet Audiovizuale dhe Menaxhimin e Spektrit, për të qenë të sigurt që Europa dhe vendet e rajonit të pajisen me njohuritë dhe masat që duhen marrë për këtë qëllim. 

Temat mbi të cilat u fokusua seminari ishin veçanërisht:

-          E ardhmja e transmetimeve televizive dixhitale tokësore

-          Përdorimi efektiv i dividentit dixhital

-          Rregullatorët kombëtarë dhe politika e masave mbi menaxhimin e spektrit

-          Aspektet ekonomike mbi menaxhimin e spketrit

-          Monitorimi i spektrit

-          IMT 2020 (5G) etj.

-          Nevojat për spektër dhe shërbimet IoT

-          Përgatitjet për WTDC 2017 dhe WRC 2019

Gjithashtu, në këtë seminar u diskutua mbi përvojat në vendet e ndryshme të rajonit sa i takon Menaxhimit të spektrit dhe Audiovizuali.

 

Në Sesionin V, me Temë “Aspektet ekonomike të menaxhimit të Spektrit, përfshirë Strategjitë dhe mënyrat e përcaktimit të çmimit”, AKEP prezantoi eksperiencën e Shqipërisë mbi këtë çështje.

 

Informacion më të detajuar mund të gjeni në këtë link:

http://www.itu.int/en/ITU-D/Regional-Presence/Europe/Pages/Events/2017/SpectrumManagement/SMB.aspx