Takim me përfaqësues të Rregullatorit Elektronik dhe Postar të Malit të Zi dhe Shqipërisë

Takim përfaqësues të Rregullatorit Elektronik dhe Postar të Malit të Zi dhe Shqipërisë

Më datë 19 Dhjetor 2018 Kryetari i Këshillit Drejtues të AKEP Z. Ilir Zela pati një takim me përfaqesues të delegacionit të Agjensisë së Komunikimeve Elektronikë dhe Postarë (EKIP) të Malit të Zi, me Z. Darko Grgurovic, Drejtori Ekzekutiv, me Z. Pavle Mijuskovic, Zëvendës Drejtor si dhe Znj. Vesna Popovic, Menaxhere e Spektrit të Radio Frekuencave. 

Qëllimi i këtij takimi sipas Z. Ilir Zela ishte gjetja e mundësive për një bashkëpunim efikas mbi përdorimin e roaming për të dy shtetet, duke vendosur si prioritet përmirësimin e shërbimit dhe uljen e tarifave ekzistuese. Roli kryesor i AKEP është që të promovojë konkurencën dhe investimet në infrastrukturën e rrjeteve të komunikimeve elektronike dhe postare si dhe mbrojtjen e interesave të përdoruesve. Palët ranë dakort për bashkëpunim në nivel qeveritar ndërmjet të dy vendeve.

Z. Grgurovic u shpreh se bashkëpunimi midis të dy agjensive ka qenë i frytshëm, duke zgjidhur nje gamë të gjerë problematikash, përfshirë këtu edhe interferimin e frekuencave, i cili është një nga shqtësimet kryesore për ta. Drejtuesit e Shqiperisë dhe të Malit të Zi kanë një bashkëpunim të gjatë midis tyre. Sipas tij, falë këtij bashkëpunimi janë rregulluar pjesa më e madhe e problematikave që kanë lindur me kohën. Mali i Zi, vitin e kaluar ka prezantuar shërbimin LTE.

Në këtë takim u diskutua edhe mbi problematikat aktuale që janë shfaqur kryesisht në zonën qendrore dhe detare të Malit të Zi, ku kryesori mbetet ende ndërhyrja e frekuencave. Megjithatë, fal bashkëpunimit të ambasadave dhe Ministrive përkatëse të të dy shteteve, është përmirësuar shërbimi për të gjithë përdoruesit e Malit të Zi për të shfrytëzuar në maksimum shërbimin, ndërkohë që e njëjta gjë shpresohet të bëhet edhe me qytetarët shqiptarë.

Që nga 12 Janari i vitit 2017 - AKEP ka hapur Zyrën e Sektorit Rajonal të Monitorimit dhe Inspektimit edhe në qytetin e Shkodrës.