NJOFTIM PËR SHTYP

logo1Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të AKEP të zhvilluar më datë 15.2.2018 sipas rendit të ditës të njoftuar, u miratua Dokumenti rregullator për këshillim publik “Mbi dhënien e të drejtave të përdorimit në brezin e frekuencave 800 MHz (790-862 MHz)”.

Miratimi i këtij dokumenti nga Këshilli Drejtues i AKEP sipas parashikimeve ligjore të përcaktuara në ligjin nr. 9918, datë 19. 05. 2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, erdhi në zbatim të kërkesës së Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë për fillimin e procesit të këshillimit publik për frekuencat në brezin 800 MHz (792-860MHz), subjekt i mundshëm i të drejtave të kufizuara dhe i hap rrugën procesit të shumëpritur që këto frekuenca, dëri më sot në përdorim nga subjektet e transmetimeve audovizive dhe nën administrimin e AMA-s, t’i kalojnë në disponim efektiv për administrim AKEP-it  sipas Planit Kombëtar të Frekuencave të miratuar nga Këshilli i Ministrave me Vendim Nr. 277, datë 29.03.2017 “Për miratimin e Planit Kombëtar të Frekuencave”.

Plani Kombëtar i Frekuencave përcakton që këto frekuenca  janë për përdorim nga operatorët që ofrojnë rrjete dhe shërbime publike të komunikimeve elektronike – telefoni e lëvizshme, për të mundësuar ofrimin e shërbimeve të gjeneratave teknologjike të avancuara të sotme dhe të prespektivës të njohura ngryshe si LTE.

Procesi i ndjekur për të arritur deri në këtë fazë,  ka qenë i gjatë dhe shumë i vështirë për shkak të përdorimit të tyre për transmetime audiovizive, dhe nevojës së lëvizjes së këtyre transmetimeve në transmetim dixhital dhe arriti të realizohet përfundimisht pas masave të zbatuara nga Qeveria dhe bashkëpunimit të ngushtë të  ish Ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, AMA dhe AKEP.

Në përfundim të këshillimit publik më datë 16.4.2018, procesi do të vijojë me administrimin e konkluzioneve të këtij konsultimi dhe procedurën për zhvillimin e tenderit publik për dhënien e të drejtave të përdorimit të  frekuencave në brezin  800 MHz (790-862 MHz) për ofrimin e rreteve dhe shërbimeve publike të komunikimeve elektronike LTE, duke e rradhitur ne këtë mënyrë edhe Shqipërinë në vendet e më të zhvilluara në Rajon dhe Evropë në ofrimin e rrjeteve dhe shërbimeve publike të komunikimeve elketronike broadband të shpejtësisë së lartë.