Tiranë, 7 nëntor 2019
Kryetari i Këshillit Drejtues të AKEP, Z. Ilir Zela priti në një takim përfaqësues të shoqërisë Albtelecom sh.a, të kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm Z. Tahsin Yilmaz, lidhur me dorëzimin e Autorizimit Individuial për përdorimin e frekuencave 900 MHz dhe 1800 MHz, të rinovuar me afat 15 vjeçar.
Në përputhje me përcaktimet ligjore në fuqi, rinovimi i Autorizimit Individual të Albtelecom sh.a është miratuar me Vendim të Këshillit Drejtues të AKEP nr. 37 datë 31.10.2019, pas miratimit të Aktit të Dakortësisë mes Grupit Ad Hoc në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Albtelecom sh.a, për rinovimin e Autorizimit Individual me çmimin 10.9 milionë Euro për frekuencat e brezit 900 MHz dhe 1800 MHz, me afat 15 vjeçar. Sipas Aktit të Dakortësisë, pagesat e Albtelecom sh.a janë përcaktuar me dy këste, secili nga 50 % të çmimit total. Kësti i parë është shlyer nga Albtelecom sh.a në datën 31.10.2019 në llogarinë e Qeverisë Shqiptare, ndërsa kësti i dytë do të shlyhet brenda datës 31 mars 2020.
Gjatë takimit, u diskutua mbi rëndësinë e vazhdimit të përdorimit të ketyre brezave të frekuencave nga Albtelecom sh.a për pajtimtarët e kësaj kompanie por edhe si investim serioz nga Albtelecom sh.a në fushën e komunikimeve elektronike, në Shqipëri.
Gjithashtu gjatë takimit u diskutuan edhe çështje të zhvillimeve teknologjike dhe situatën e tregut të komunikimeve elektronike në Shqipëri, duke përfshirë edhe bllokun A1 të frekuencave të brezit 800 MHz të paalokuar (4G/4G+) dhe brezat 700 MHz, 3400-3800 MHz dhe 26 GHz të teknologjive 5G, për tu dhënë në përdorim nga AKEP operatorëve celularë në vitet në vijim.
- Zela dhe Z. Ylmaz mbajnë qëndrim të njëjtë që dhënia për përdorim e frekuencave të reja, nxit zhvillimin e sektorit të komunikimeve elektronike në Shqipëri si dhe u mundëson shërbime me cilësore pajtimtarëve të operatorëve celularë, duke qenë kështu në një linjë me zhvillimet teknologjike në vendet e BE dhe rajonit.