Categories
Notifications

Njoftim për heqjen e tarifave roaming ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor për pajtimtarët e rrjeteve celulare të RSH

Sot më datë 1 korrik 2021, të gjithë pajtimtarët e rrjeteve celularë të RSH që udhëtojnë në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor (Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbi), do të gëzojnë të drejtën e përdorimit të të gjitha shërbimeve celulare roaming të rregulluara në këto vende të BP sikundër të ishin në Shqipëri, pra pa tarifa/shpenzime shtesë për roaming.

Ky model tarifimi për pajtimtarët e rrjeteve celulare që përdorin shërbimin roaming njihet si Roam Like At Home (RLAH), dhe do të jetë i aplikueshëm prej datës 1.7.2021 për të gjithë pajtimtarët celularë, me parapagesë dhe paspagesë (apo kombinim të mënyrës së pagesës), që përdorin oferta apo jo (pra, edhe përdoruesit me parapagim që përdorin vetëm rimbushje dhe tarifohen në bazë njësish të konsumuara dhe kreditit të vlefshëm – Pay As You Go (PAYG)), pajtimtarët me paketa aktive ose jo, pra, që kanë njësi të mbetura të shërbimeve ose jo.

Në përputhje me modelin RLAH të gjithë pajtimtarët celularë do të tarifohen për të gjitha shërbimet celulare të konsumuara në roaming në BP sipas tarifave/mekanizmit të tarifimit përkatës (PAYG/Paketa me parapagim dhe paspagim, etj.) të aplikuar në Shqipëri për shërbimet celulare, si: thirrje dalëse, thirrje hyrëse (0 lekë), SMS dalëse (SMS hyrëse 0 lekë), dhe Internet (sipas politikës së përdorimit të drejtë – FUP). Pajtimtarët që përdorin paketa/oferta me paspagim apo parapagim do të kenë mundësinë që gjatë roaming në BP të përdorin njësinë e shërbimeve të përfshira në pagesën fikse periodike (mujore) apo të ofertave me parapagim (ditore/javore, 30 ditore etj.), sikundër të ishin në Shqipëri, pra, pa tarifa shtesë apo nevojën për të blerë oferta shtesë roaming në BP.

Për të shmangur abuzimet e mundshme me këtë sistem të ri tarifimi (si në Shqipëri apo pa tarifa shtesë apo tarifë zero ekstra për shërbimet roaming në BP), çka do të dëmtonte jo vetëm operatorët celularë, por edhe përdoruesit (qytetarë/biznese) e shërbimeve roaming në BP, këto përfitime shoqërohen në të njëjtën kohë dhe me disa rregulla të përdorimit të drejtë (FUP) të këtyre shërbimeve. Këto rregulla të përdorimit të drejtë përfshijnë të drejtën e operatorit celular për të aplikuar tarifa shtesë roaming-u në rast të evidentimit të abuzimit apo përdorimit anormal të shërbimeve roaming, dhe tejkalimit të sasisë së lejuar të internetit në roaming në BP, sipas politikës së përdorimit të drejtë.

Informacion më të detajuar për politikat e përdorimit të drejtë (Fair Usage Policies-FUP) dhe njoftimin dhe aplikimin e këtyre tarifave shtesë për roaming-un në rastet e cituara, mund të gjenden në faqen e internetit të secilit operator celular. Këto rregulla të FUP të operatorëve celularë duhet të jenë në përputhje me përcaktimet e akteve të miratuara nga AKEP me Vendimin nr.9, datë 9.6.2019, për “Miratimin e dokumentit “Rregullore mbi zbatimin e politikës së përdorimit të drejtë dhe metodologjinë e vlerësimit të qëndrueshmërisë së heqjes së tarifave roaming me pakicë (RLAH) me Ballkanin Perëndimor” dhe dokumentet plotësuese”. Për shumë kliko këtu.

Heqja e tarifave roaming me pakicë (RLAH) nga 1.7.2021 u bë i mundur nga zbatimi i “Marrëveshje mbi Reduktimin e Çmimeve të Shërbimeve Roaming në Rrjetet Publike të Komunikimit Celular në Rajonin e Ballkanit Perëndimor”, të nënshkruar më datë 4 Prill në Beograd nga ministritë përgjegjëse për komunikimet elektronike të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, dhe Serbia).

Nënshkrim i marrëveshjes dhe zbatimi i saj u arritën falë bashkëpunimit rajonal të organeve politikbërëse dhe autoriteteve rregullatore të BP me KE dhe RCC. Fillimi i heqjes së tarifave roaming në BP përbën një gur kilometrik të rëndësishëm në integriminin në BE dhe sidomos në përfitimet e qytetarëve të BP nga shërbimet celulare.

AKEP dëshiron të falënderojë operatorët celularë për mundësimin e përfitimeve të ndjeshme për qytetarët Shqiptarë për roaming-un në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhënë në procesin e nënshkrimit dhe zbatimit të marrëveshjes së roaming-ut rajonal.

Ju urojmë qytetarëve Shqiptarë udhëtim të këndshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor, pa tarifa roaming dhe përfitime Komuniko si n’shpi, duke filluar nga 1 Korrik 2021.

AKEP do vijojë punën për rritjen e përfitimeve të qytetarëve Shqiptarë edhe për roaming-un në vendet e Bashkimit Evropian në të ardhmen, duke mbështetur iniciativat e Qeverisë në këtë drejtim,  nëpërmjet bashkëpunimit me Komisionin Evropian, RCC dhe vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.