Ditën e mërkurë, 4 tetor 2023, Komisioni parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi një vizitë pune pranë AKEP-it, me qëllim monitorimin në terren të përmbushjes së detyrave ligjore të institucionit. Kjo vizitë përkon edhe me 25-vjetorin e themelimit të entit rregullator dhe përfaqëson një nga format më të spikatura të kontrollit që Kuvendi ushtron mbi autoritetet e pavarura në garantimin e profesionalizmit, objektivitetit, transparencës dhe llogaridhënies publike.
Në vizitën e punës, Delegacioni Parlamentar i kryesuar nga Z. Arben Pëllumbi, Kryetar, përbëhej nga pothuajse tërësia e anëtarëve të Komisionit. Në selinë e AKEP-it, Delegacioni u mirëprit nga Z. Tomi Frashëri, Kryetar i AKEP-it, anëtarët e Këshillit Drejtues Armer Juka, Bleron Dokle, Lorenc Bako, Drejtori i Kabinetit të Kryetarit, Znj. Eriola Mosko dhe Drejtori i Drejtorisë së Monitorim-Inspektimit, Z. Vasil Mitezi.
Pas diskutimit shumë të frytshëm dhe të hapur dypalësh ku u trajtuan kryesisht zbatimi i pikave të rezolutës për AKEP-in miratuar nga Kuvendi për vitin 2023 dhe probleme të veçanta me fokus mbi konsumatorin, Delegacioni Parlamentar u ndal gjatë në Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Frekuencave (QKMF) nën administrimin e AKEP-it, ku u njoh përkatësisht me punën e stafit teknik, me funksionimin konkret të monitorimit të frekuencave në Republikën e Shqipërisë si dhe me tërësinë e pajisjeve elektronike, veprave inxhenierike dhe flotën e automjeteve të veçanta nëpërmjet të cilave, autoriteti rregullator përmbush misionet e tij të posaçme për sa i takon spektrit të frekuencave dhe mbarëvajtjes së rrjeteve publike të telekomunikacioneve. Delegacioni u njoh gjithashtu në detaj me investimet madhore të kryera në AKEP në vitet e fundit për sa i përket sigurisë kibernetike dhe vlerësoi standardet e larta të hapësirave që i janë dedikuar funksionimit të serverave dhe infrastrukturave kritike të menaxhuara nga AKEP-i.
Vizita e punës e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit do të përvijohet në të ardhmen nga takime të tjera pranë AKEP-it për të monitoruar asetet e tjera të institucionit në terren, në rrethe të ndryshme të vendit.