Historiku i Integrimit të Shqipërisë në BE
Marrëdhëniet e vendit tonë me Bashkimin Evropian, bazuar në objektivin kombëtar të integrimit në BE, janë strategjike dhe prioritare të politikës sonë të jashtme. Interesi parësor i Shqipërisë në raport me BE-në është anëtarësimi në BE në të ardhmen.
- Në vitin 1991 Shqipëria vendosi marrëdhëniet diplomatike me Komunitetin Evropian;
- Në vitin 2000 Shqipëria u njoh zyrtarisht nga Bashkimi Evropian si një vend kandidat potencial;
- Në vitin 2003 Samiti i Selanikut i krerëve të vendeve të BE-së, miratoi procesin e Stabilizim-Asociimit, duke konfirmuar kështu perspektivën e anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.
Në po të njëjtin vit nisën negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit (MSA) BE-Shqipëri;
- Më 12 qershor 2006 u përmbyll procesi i negociatave rreth Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Shqipërinë, e cila u nënshkrua në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme (GAC), në Luksemburg;
- Më 1 prill 2009 MSA-ja hyri në fuqi. Në po të njëjtin muaj, Shqipëria aplikoi zyrtarisht për t’u anëtarësuar në BE;
- Në nëntor 2009, bazuar në pyetësorin që Komisioni Evropian i dorëzoi Shqipërisë në lidhje me përgatitjen e vendit për anëtarësim, filluan dhe negociatat për marrjen e statusit të vendit kandidat;
- Më 27 qershor 2014 Shqipëria mori statusin e vendit kandidat.
Këshilli përcaktoi pesë përparësi kryesore (administrata publike, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, të drejtat themelore) që Shqipëria duhej të përmbushte përpara fillimit të negociatave të anëtarësimit;
- Më 9 nëntor 2016, bazuar në arritjet në këto përparësi kyçe, Komisioni i propozoi për herë të parë Këshillit fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, në varësi të një progresi konkret në zbatimin e reformës në drejtësi, në veçati të “vettingut” të gjyqtarëve dhe prokurorëve;
- Më 17 prill 2018, në Paketën e tij vjetore të Zgjerimit, Komisioni Evropian rekomandoi që Këshilli të vendosë që negociatat e anëtarësimit të hapen me Shqipërinë nën dritën e përparimit të shënuar, ruajtjes dhe thellimit të reformave nga Shqipëria.;
- Më 26 qershor 2018, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së pranoi t’i përgjigjet pozitivisht progresit të bërë nga Shqipëria dhe të përcaktojë rrugën drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit në qershor 2019;
- Më 29 maj 2019 Komisioni Evropian prezantoi Paketën vjetore të Zgjerimit, duke rekomanduar sërish hapjen e menjëhershme të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë;
- Më 18 qershor 2018 Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme riafirmoi konkluzionet e tij të 26 qershorit 2018, njohu rekomandimin pozitiv të Komisionit për hapjen e negociatave dhe vendosi të marrë një vendim të qartë dhe substancial për këtë jo më vonë se në tetor 2019;
- Më 18 tetor 2019 Këshilli Evropian mori në shqyrtim hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Këshilli vendosi t’i rikthehej kësaj çështjeje përpara majit 2020.
- Më 25 mars 2020, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me Republikën e Shqipërisë, duke marrë parasysh progresin e arritur në reformat dhe përmbushjen e kushteve të përcaktuara në unanimitet nga Keshilli i qershorit 2018.
- Më 26 mars 2020, Këshilli Evropian miratoi vendimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Kapitulli 1
Kapitulli 1: Lëvizja e lirë e mallrave është një nga katër liritë themelore të Bashkimit Evropian. Parimi i lëvizjes së lirë të mallrave nënkupton që produktet duhet të qarkullojnë lirshëm nga një pjesë e Bashkimit Evropian në tjetrën.
Për të mundësuar zbatimin e këtij parimi, acquis i këtij kapitulli parashikon një kuadër rregullator të harmonizuar, i cili bazohet:
ose në “qasjen e vjetër”, që parashikon specifikime të detajuara për produktet;
ose në “qasjen e re”, që vendos kërkesa të përgjithshme dhe thelbësore për produktet, duke lënë standardizimin teknik në nivel vullnetar.
Legjislacioni evropian i harmonizuar për produktet, i cili duhet të transpozohet në legjislacionin kombëtar, përbën pjesën më të madhe të acquis në këtë kapitull. Për më tepër, është thelbësore që të ekzistojnë kapacitete të mjaftueshme administrative për:
- njoftimin e kufizimeve në tregti,
- zbatimin e masave horizontale dhe procedurale në fusha të tilla si standardizimi, vlerësimi i konformitetit, akreditimi, metrologjia dhe mbikëqyrja e tregut.
Institucioni lider për Kapitullin 1: Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit.
Grupet Ndërinstitucionale të Punës për Integrimin Evropian (GNPIE)
Në zbatim të VKM nr. 749/2018, janë ngritur Grupet Ndërinstitucionale të Punës për Integrimin Evropian (GNPIE) përmes Urdhrit të Kryeministrit nr. 94, datë 20.05.2019, “Për ngritjen, përbërjen dhe funksionimin e grupeve ndërinstitucionale të punës për integrimin evropian”.
GNPIE-të krijohen për secilin kapitull të acquis dhe kryejnë analiza të detajuara mbi:
- politikat dhe legjislacionin,
- financimin,
- procedurat administrative,
- ndërveprimin social dhe sipërmarrjen private,
- zbatimin gjyqësor në fushën përkatëse të kapitullit.
Në vijim të këtyre analizave, GNPIE-ja përkatëse harton Planin e Veprimit të Kapitullit, duke përgatitur Qëndrimet Paraprake dhe Qëndrimet Përfundimtare për kapitullin përkatës, si dhe duke adresuar çështjet që diskutohen gjatë negociatave. Në këtë proces, sigurohet përputhshmëria ndërmjet planeve të veprimit dhe dokumenteve strategjike kombëtare.
AKEP merr pjesë në takimet e GNPIE-së për Kapitullin 1 me një frekuencë mujore, ose më shpesh kur kërkohet, duke kontribuar me ekspertizë teknike nga anëtarët përkatës, me qëllim përmbylljen sa më të shpejtë dhe efektive të këtij kapitulli negociues.
Vlerësimi i konformitetit të pajisjeve radio
Në kuadër të Kapitullit 1, AKEP ka përgjegjësi në fushën e vlerësimit të konformitetit të pajisjeve radio, në përputhje me kuadrin ligjor dhe nënligjor në fuqi.
Në këtë kontekst, AKEP, bazuar në VKM nr. 378/2019, “Për miratimin e rregullit teknik për pajisjet radio, njohjen e ndërsjellë të vlerësimit të konformitetit të tyre dhe përcaktimin e listës së standardeve të harmonizuara”, e ndryshuar me VKM nr. 721/2023, ushtron kompetencën e regjistrimit të pajisjeve radio që rezultojnë me nivel të ulët përputhshmërie me kërkesat thelbësore, sipas nenit 3 të VKM nr. 378/2019.
Përafrimi i kuadrit ligjor dhe nënligjor
Sa i përket përafrimit të akteve ligjore dhe nënligjore, VKM nr. 378/2019 është përafruar në një nivel të konsiderueshëm me Direktivën 2014/53/BE (RED) për pajisjet radio.
Ndryshimet e miratuara me VKM nr. 721/2023 kontribuojnë në harmonizimin e pjesshëm të kuadrit kombëtar me Direktivën (BE) 2022/2380, e cila ndryshon Direktivën 2014/53/BE.
Kapitulli 3
Kapitulli 3 – E drejta e vendosjes dhe liria e ofrimit të shërbimeve
Kapitulli 3: “E drejta e vendosjes dhe liria e ofrimit të shërbimeve” është një nga kapitujt themelorë të acquis të Bashkimit Evropian dhe synon të garantojë që individët dhe subjektet ekonomike të kenë të drejtën të vendosen dhe të ofrojnë shërbime lirshëm, pa pengesa të pajustifikuara ligjore apo administrative.
Ky kapitull mbulon një gamë të gjerë shërbimesh, përfshirë shërbimet postare, dhe kërkon që kuadri ligjor dhe institucional të sigurojë:
- akses të lirë dhe jodiskriminues në treg;
- funksionim të tregut në kushte konkurrence të ndershme;
- mbrojtje të interesit publik dhe të konsumatorëve;
- ekzistencën e autoriteteve rregullatore të pavarura dhe efektive.
Institucioni lider për Kapitullin 3: Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit.
Koordinimi ndërinstitucional – GNPIE për Kapitullin 3
Në zbatim të VKM nr. 749/2018 dhe Urdhrit të Kryeministrit nr. 94, datë 20.05.2019, për Kapitullin 3 funksionon Grupi Ndërinstitucional i Punës për Integrimin Evropian (GNPIE), i cili koordinon procesin negociues, analizon nivelin e përafrimit të legjislacionit dhe kontribuon në hartimin e dokumenteve negociuese përkatëse.
AKEP merr pjesë aktivisht në GNPIE për Kapitullin 3, duke ofruar ekspertizë teknike në fushën e shërbimeve postare. Përfaqësuesit e AKEP kontribuojnë në mënyrë të vazhdueshme në analizat mbi hapjen e tregut postar, shërbimin universal postar, pavarësinë e autoritetit rregullator, monitorimin e cilësisë së shërbimit dhe mbrojtjen e konsumatorit.
AKEP merr pjesë në takimet e GNPIE-së me frekuencë mujore, ose më shpesh kur kërkohet, dhe kontribuon në përgatitjen e Planeve të Veprimit, Qëndrimeve Paraprake dhe Qëndrimeve Përfundimtare për Kapitullin 3, me qëllim avancimin dhe përmbylljen sa më të shpejtë dhe efektive të këtij kapitulli negociues.
Kuadri ligjor për shërbimet postare në Republikën e Shqipërisë
Ofrimi i shërbimeve postare në Republikën e Shqipërisë rregullohet nga Ligji nr. 46/2015, “Për shërbimet postare në Republikën e Shqipërisë”, si dhe nga aktet nënligjore përkatëse (vendime të Këshillit të Ministrave, udhëzime, urdhra dhe rregullore të AKEP).
Kuadri ligjor për shërbimet postare është plotësisht i përafruar me:
- Direktivën 97/67/KE,
- Direktivën 2002/39/KE, dhe
- Direktivën 2008/6/KE të Parlamentit Evropian dhe Këshillit.
Ky kuadër garanton funksionimin e shërbimeve postare në një treg të hapur, siguron ofrimin e shërbimit universal postar, si dhe parashikon mekanizma për financimin e kostos neto të këtij shërbimi.
Roli i AKEP në sektorin postar
AKEP është autoriteti rregullator përgjegjës për sektorin postar dhe, në përputhje me ligjin nr. 46/2015, ka ndër të tjera kompetencën për:
- përcaktimin e ofruesit të shërbimit universal postar;
- miratimin e rregullave për ofrimin e shërbimeve postare dhe shërbimit universal;
- monitorimin e tregut postar dhe mbrojtjen e konkurrencës dhe të konsumatorëve.
Në këtë kuadër, Këshilli Drejtues i AKEP, me Vendimin nr. 6, datë 19.05.2025, miratoi nxjerrjen në këshillim publik të dokumentit “Analizë e tregut të shërbimeve postare dhe vlerësimi i ofruesve të mundshëm të shërbimit universal”, për një periudhë 30-ditore (19 maj – 18 qershor).
Në vijim të kësaj procedure, me Vendimin nr. 10, datë 27.08.2024, Këshilli Drejtues i AKEP miratoi dokumentin përfundimtar, duke përcaktuar “Posta Shqiptare” sh.a. si ofruesin e vetëm që plotëson kushtet ligjore për ofrimin e shërbimit universal postar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Përafrimi i legjislacionit me acquis të BE-së për shërbimet postare
Legjislacioni kombëtar shqiptar në fushën e shërbimeve postare është plotësisht i përafruar me acquis të BE-së. Ligji nr. 46/2015, datë 07.05.2015, përcakton rregullat për:
- ofrimin e shërbimeve postare në treg të hapur;
- garantimin dhe financimin e shërbimit universal postar;
- parimet e tarifimit dhe transparencën e llogarive;
- standardet e cilësisë së shërbimit universal;
- funksionimin e autoritetit rregullator të pavarur.
Që nga 1 janari 2017, “Posta Shqiptare” sh.a. nuk gëzon më zonë të rezervuar dhe tregu postar është plotësisht i hapur ndaj konkurrencës.
Autoritetet kompetente në sektorin postar janë ministria përgjegjëse për shërbimet postare dhe AKEP.
Shërbimi universal postar
Shërbimi universal postar garantohet jo më pak se pesë ditë pune në javë dhe përfshin:
- dërgimin e artikujve postarë deri në 2 kg;
- dërgimin e pakove deri në 10 kg (me mundësi rritjeje deri në 20 kg me vendim të AKEP);
- dërgimin e dërgesave të regjistruara dhe të siguruara;
- dërgesa ndërkombëtare deri në 20 kg, të pranuara në një shtet anëtar të BE-së.
Tarifat e shërbimit universal janë të përballueshme, transparente, jodiskriminuese dhe të orientuara nga kostoja, si dhe janë të përjashtuara nga TVSH-ja.
AKEP ka miratuar Rregulloren nr. 41/2016 për ndarjen e llogarive dhe llogaritjen e kostos neto të shërbimit universal.
Autorizimet dhe licencimi
Ligji nr. 46/2015 parashikon:
- autorizim të përgjithshëm për ofrimin e shërbimeve postare që nuk janë pjesë e shërbimit universal;
- autorizim individual për ofruesin e shërbimit universal, të lëshuar nga AKEP për një periudhë nga 5 deri në 20 vjet.
Zbatimi i Rregullores (BE) 2018/644 për dërgesat ndërkufitare
Rregullorja (BE) 2018/644 për dërgesat ndërkufitare të pakove është transpozuar në legjislacionin shqiptar me Udhëzimin e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë nr. 5, datë 25.06.2021.
Në këtë kuadër, AKEP ka ndërmarrë:
- mbledhjen dhe publikimin e të dhënave për tarifat e dërgesave ndërkufitare;
- vlerësimin krahasues të tarifave të “Postës Shqiptare” me ofruesit rajonalë;
- raportimin e rezultateve pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Analizat tregojnë se tarifat e “Postës Shqiptare” për dërgesat ndërkufitare nuk janë dukshëm apo në mënyrë të paarsyeshme më të larta krahasuar me ofruesit e tjerë universalë në rajon.
Në kuadër të bashkëpunimit rajonal, më 9 tetor 2024 u miratua Vendimi i Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s për shërbimet e dorëzimit të pakove, dhe AKEP po bashkëpunon me MIE dhe GIZ për zbatimin e tij.
Kapitulli 10
Kapitulli 10 – Shoqëria e Informacionit dhe Media
Kapitulli 10: “Shoqëria e Informacionit dhe Media” synon përafrimin e legjislacionit dhe politikave kombëtare me acquis të Bashkimit Evropian në fushën e komunikimeve elektronike, shoqërisë së informacionit dhe shërbimeve të mediave audiovizive.
Qëllimi i acquis në këtë kapitull është:
- liberalizimi i shërbimeve dhe rrjeteve të komunikimeve elektronike;
- eliminimi i pengesave për funksionimin efektiv të tregut të vetëm;
- promovimi i konkurrencës së ndershme dhe nxitja e investimeve;
- mbrojtja e interesave dhe e të drejtave të konsumatorëve;
- sigurimi i aksesit universal në shërbime moderne, të sigurta dhe me cilësi të lartë.
Institucionet lider për Kapitullin 10 janë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Kapitulli 10 kërkon gjithashtu kapacitete institucionale dhe administrative të mjaftueshme për zbatimin efektiv të legjislacionit dhe për pjesëmarrjen në programet e Bashkimit Evropian në fushën e shoqërisë së informacionit dhe medias.
Miratimi dhe zbatimi i Ligjit nr. 54/2024 “Për komunikimet elektronike”
Një zhvillim themelor në kuadër të Kapitullit 10 është miratimi i Ligjit nr. 54/2024 “Për komunikimet elektronike”, i cili përbën reformën kryesore strukturore të sektorit dhe një hap vendimtar duke afruar pjesërisht atë me Direktivën (EU) 2018/1972 të parlamentit Evropian dhe të Këshillit “Për krijimin e Kodit Evropian të Komunikimeve Elektronike” (EECC),
Ligji është miratuar më 30.05.2024, është shpallur me Dekretin nr. 227, datë 14.06.2024, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, dhe ka hyrë në fuqi më 20.12.2024, në përputhje me përcaktimin ligjor për hyrjen në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Ky ligj forcon ndjeshëm:
- kuadrin rregullator të tregut të komunikimeve elektronike;
- nxitjen e investimeve në rrjete me kapacitet shumë të lartë (VHCN);
- mbrojtjen e të drejtave të përdoruesve fundorë;
- sigurinë dhe integritetin e rrjeteve dhe shërbimeve;
- pavarësinë, kompetencat dhe kapacitetet e AKEP si autoritet rregullator.
Zbatimi i ligjit është shoqëruar me një proces të gjerë konsultimi publik, në përputhje me parimin e transparencës dhe kërkesat e nenit 44 të ligjit, duke përfshirë operatorët e tregut dhe palët e interesuara përpara miratimit të akteve rregullatore.
Aktet nënligjore zbatuese që burojnë nga Ligji nr. 54/2024
Në funksion të përmbushjes së kërkesave të Kapitullit 10 dhe piketave mbyllëse, Ligji nr. 54/2024 ka krijuar bazën për miratimin e një sërë rregulloresh zbatuese, të cilat mbulojnë shtyllat kryesore të rregullimit të tregut të komunikimeve elektronike.
Në këtë kuadër, janë miratuar ose janë në proces miratimi rregulloret e mëposhtme:
- Rregullore për procedurën dhe mënyrën e llogaritjes së nivelit të pagesave vjetore për mbikëqyrjen e tregut të komunikimeve elektronike dhe shërbimeve postare;
- Rregullore për të dhënat statistikore dhe financiare periodike të sipërmarrësve të rrjeteve dhe/ose shërbimeve të komunikimeve elektronike;
- Rregullore për monitorimin e spektrit të frekuencave;
- Rregullore për inspektimin e veprimtarisë së sipërmarrësve të rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike;
- Rregullore për zbatimin e regjimit të autorizimit të përgjithshëm;
- Rregullore e analizës së tregjeve;
- Rregullore për mënyrën e zbatimit të portabilitetit të numrit;
- Rregullore mbi masat organizative dhe teknike për garantimin e sigurisë së rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike;
- Rregullore për përcaktimin e modelit të përmbledhjes së kontratës për t’u përdorur nga ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike publike;
- Rregullore për mbrojtjen e konsumatorit;
- Rregullore për rrjetet me kapacitet shumë të lartë (VHCN).
Këto akte nënligjore sigurojnë zbatimin praktik të ligjit, forcimin e mbikëqyrjes rregullatore, rritjen e transparencës së tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Siguria kibernetike dhe rrjetet 5G
Në zbatim të Ligjit nr. 54/2024, siguria kibernetike e rrjeteve dhe shërbimeve, përfshirë rrjetet 5G, është trajtuar si prioritet rregullator. AKEP ka kontribuar në plotësimin e kuadrit nënligjor për sigurinë e rrjeteve 5G, në përputhje me 5G Security Toolbox të Bashkimit Evropian, dhe ka bashkëpunuar ngushtësisht me institucionet përgjegjëse dhe operatorët e tregut.
Zhvillimet kryesore të tregut dhe integrimi digjital
Tregu i komunikimeve elektronike në Shqipëri vijon të shënojë rritje të përdorimit të shërbimeve broadband, veçanërisht në segmentin mobil, si dhe zgjerim të mbulimit me rrjete 5G, në përputhje me detyrimet e autorizimit të përcaktuara nga AKEP.
Në nivel rajonal, zbatimi i modelit “Roam Like at Home” në Ballkanin Perëndimor ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e përdorimit të shërbimeve roaming dhe në integrimin digjital të Shqipërisë. Paralelisht, vijon puna për reduktimin dhe eliminimin e tarifave roaming me Bashkimin Evropian, në përputhje me angazhimet e marra në kuadër të procesit të zgjerimit.
Pavarësia dhe kapacitetet e AKEP
AKEP është autoritet rregullator i pavarur, që raporton drejtpërdrejt në Kuvend, dhe ushtron kompetencat e tij në mënyrë të paanshme, objektive dhe transparente. Ligji nr. 54/2024 ka forcuar më tej pavarësinë institucionale, financiare dhe organizative të Autoritetit.
Gjatë vitit 2025, AKEP ka ndërmarrë masa konkrete për forcimin e kapaciteteve administrative dhe profesionale, përfshirë riorganizimin strukturor dhe trajnime të specializuara, në bashkëpunim me partnerë evropianë dhe ndërkombëtarë, duke siguruar zbatimin efektiv të kuadrit të ri rregullator dhe përafrimin e vazhdueshëm me acquis të Bashkimit Evropian.


