Internet
Vendimi për të kontraktuar shërbimin e aksesit në Internet duhet të rezultojë nga një zgjedhje e vetëdijshme dhe pas një informacioni të plotë mbi këtë shërbim.
Kur vendosni, duhet të keni në konsideratë faktorë të tillë si:
- Nevojat tuaja në përdorimin e shërbimit: janë përcaktuese në zgjedhjen e shërbimit më të përshtatshëm, veçanërisht në zgjedhjen e aksesit të lëvizshëm apo të qëndrueshëm të Internetit. Si rregull i përgjithshëm, aksesi fiks është më i shpejtë dhe më i sigurt se aksesi i lëvizshëm,gjithashtu siguron kapacitet më të madh për download-ime të përmbajtjes kënaqshëm. Nga ana tjetër, aksesi i lëvizshëm ofron më shumë fleksibilitet, që mund të përdoret në çdo kohë dhe në çdo vend, duke ju përgjigjur në këtë mënyrë nevojave në lëvizje;
- Llojin e konsumit tuaj: nëse ju kërkoni përdorimin e këtij shërbimi pa kufizime të trafikut; nëse ju dëshironi të përdorni shërbimin, vetëm, ose më shpesh gjatë periudhave të caktuara të ditës ose të javës; nëse ju preferoni të kufizoni shërbimin tuaj vetëm në një vlerë të kufizuar; nëse dëshironi të paguani vetëm për atë që ju përdorni, etj.;
- Tarifat më të përshtatshme: planet tarifore që janë më të përshtatshme për përdorimin e shërbimit në kohë të caktuara të ditës, javës; tarifat më të leverdishme kur përdorimi i shërbimit është i palimituar; paketat e minutave, me kushte fleksibël të përdorimit, etj.;
- Shpenzimet që lidhen me përdorimin e shërbimit: të gjitha llojet e tarifave për përdorim dhe mirëmbajtje, tarifat periodike të qerave, si edhe të dhëna për ndonjë ulje;
- Mbulimi i shërbimit: nëse shërbimi është i disponueshëm në zonat që ju dëshironi ta përdorni atë; Ofruesit e aksesit në Internet duhet të sigurojnë informacion mbi mbulimin me shërbim, si dhe referimet përkatëse se ku mund të sigurohet informacioni më i fundit. Ky informacion duhet të publikohet dhe përgatitet në një formë të qartë dhe të kuptueshme, me shkrim, në pikat tregtare të ofruesit të shërbimit dhe agjentëve, partnerëve të tij si dhe në website-et e tyre, si dhe duhet të jetë pa pagesë në të gjitha pikat tregtare.
- Nivelet e cilësisë në termat e shpejtësisë maksimale dhe mesatare të akses Internetit: Çdo referim për nivelet e cilësisë duhet të shoqërohet me shënimin që shpejtësia e ofruar nuk mund jetë e njëjtë për të gjitha llidhjet gjatë gjithë kohës dhe që shpejtësia aktuale varet nga niveli i përdorimit të rrjetit dhe shërbimi te i cili është lidhur pajtimtari. Ofruesi i Internetit mund t’ju japë vetëm një shpejtësi maksimale për lidhjen tuaj. Kjo do të thotë që shpejtësia e reklamuar do të arrihet vetëm në kushte optimale.
Nivele të tjera të cilësisë të ofruara nga ofrues të ndryshëm të shërbimit:
- Pajisjet që duhen për shërbimin: Ju duhet të kontrolloni çfarë karakteristikash duhet të kenë pajisjet, duke marrë në konsiderate nevojat tuaja dhe mënyrën e përdorimit të shërbimit. Aktualisht shërbimi i aksesit në Internet është shumë i thjeshtë dhe i mundshëm për pjesën më të madhe të popullsisë. Në rastin e aksesit fiks, është e mjaftueshme të kesh një linjë telefoni të instaluar dhe modem-in e kërkuar. Në rastin e aksesit në Internet të lëvizshëm, është e nevojshme të kesh një kompjuter portabël ose pajisje me kartë rrjeti valor.
Ofruesit e këtij shërbimi
Përdoruesit e shërbimit të internetit mund të zgjedhin paketën më të leverdisshme ndërmjet operatorëve që e ofrojnë këtë shërbim, duke u orientuar në guidën e mëposhtme.
Informacion i Përgjithshëm
Kontratat e pajtimit për shërbimin e aksesit në Internet, ose kushtet e përgjithshme, ose kushtet e veçanta, përmbajnë informacionin e duhur që duhet marrë në konsideratë kur nënshkruajmë për një shërbim të veçantë.
Përpara nënshkrimit të kontratës së shërbimit, ju duhet të jeni informuar me kushtet e saj kryesore, që do të thotë që të gjithë përdoruesit duhet të lexojnë me kujdes përmbajtjen, përpara se të marrin përsipër detyrimet kontraktuale.
Gjatë lidhjes së kontratës së pajtimit sigurohu që kontrata e pajtimit, ndërt të tjera, të përmbajë:
- Informacion mbi shërbimin dhe cilësinë e tij, si dhe kohën për lidhjen fillestare;
- Mënyrën e mirëmbajtjes së shërbimit të ofruar;
- Informacion të hollësishëm për tarifat;
- Mënyrat e kompensimit dhe të rimbursimit në rastet kur shërbimi i kontraktuar nuk plotëson nivelin e cilësisë së parashikuar në kontratë;
- Udhëzime për procedurat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve;
- Mundësinë që të dhënat e përdoruesit të mos publikohen në numëratorin telefonik;
- Kontratat nuk duhet të detyrojnë lidhjen e saj me një afat fillestar prej më shumë se 24 muaj dhe me një kohëzgjatje minimale prej 12 muaj.
Sipërmarrësit që ofrojnë akses në Internet janë, në përgjithësi, të lirë të përcaktojnë dhe vendosin tarifat.
Për t’u pajisur me informacion rreth tarifave, duhet të kujtoni që:
Sipërmarrësit e rrjeteve dhe të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike janë të detyruar të publikojnë informacion të saktë dhe të hollësishëm për tarifat dhe kushtet e përgjithshme për aksesin dhe përdorimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike publike. Ky informacion publikohet me anë të mjeteve të informimit publik.
Si përdorues i ndonjë sipërmarrësi, të dhënat e tarifave duhet të jepen në kontratën e pajtimit, nëpërmjet informimit se si ju mund të siguroni informacion të përditësuar për të gjitha tarifat e aplikuara. Ky informacion duhet t’u mundësojë kontrollin mbi shumën e faturuar.
Prandaj Kontrata e pajtimit duhet të përmbajë:
- Llojin dhe nivelin e tarifave të aplikueshme për ofrimin e shërbimit;
- Mënyrat e pagesës, ose njoftimi që informacioni jepet në faturë;
- Kosto e instalimit ose ri-instalimit të shërbimeve, kur aplikohet;
- Nivelet minimale të konsumit (mujore ose ndryshe), aty ku janë të aplikueshme;
- Shpenzimet e mirëmbajtjes, aty ku janë të aplikueshme;
- Shpenzimet për qiranë e pajisjeve, aty ku janë të aplikueshme;
- Kushtet kryesore të alokimit të zbritjeve të llogarisë, kur aplikohen;
- Periudhat pik dhe off-pik, kur aplikohen, dhe tarifat gjatë këtyre periudhave;
- Si dhe ku, pajtimtari mund të sigurojë informacion të përditësuar mbi tarifat;
- Tarifat e aplikueshme për shërbimin, që janë në fuqi ditën e nënshkrimit të kontratës, që vendosen në aneksin e kontratës;
Informacion i përgjithshëm
Duke përdorur roaming ndërkombëtar, një përdorues i shërbimeve të komunikimeve të lëvizshme mund t’i përdorë shërbimet gjatë udhëtimit nëpër botë, duke bërë dhe marrë thirrje, dërguar dhe marrë mesazhe (SMS), dërguar dhe marrë të dhëna të tjera (si MMS dhe Internet) dhe të ketë akses për kërkesa të tjera për shërbimin, duke përdorur rrjetin telefonik të lëvizshëm të një a më shumë ofruesve që operojnë në vendet ku ke shkuar. Në këtë mënyrë, me roaming ndërkombëtar është e mundur të përdorni kompjuterin tuaj portabël kur jeni jashtë vendit.
Shërbimet e ofruara me roaming, që përfshijnë shërbimin e akses Interentit, janë zakonisht më të shtrenjta.
Është e rëndësishme që përdoruesit të jenë të informuar se mund të jenë të tarifuar për aksesin e e-mail-eve të tyre, dhe kërkim të thjeshtë në internet, shikim dhe download-im të skedarëve (imazhe, muzikë, video ose filma). Madhësia (në byte) e të dhënave të tilla ose skedarëve është e rëndësishme për kushtet e faturimit.
Roaming në kufi
Përdoruesit e rrjetit kombëtar të lëvizshëm pranë zonës së kalimit të kufirit nganjëherë, padashur e gjejnë veten duke përdorur roaming në kufi, kur ata përdorin kompjuterat e tyre portabël.
Në të tilla raste përdoruesit gjejnë që janë tarifuar me tarifat roaming nga sipërmarrësit e vendit të tyre, që janë zakonisht më të shtrenjta se ato të aplikuara në vend, veçanërisht për akses Interneti.
Një situatë e tillë e roaming mund të rezultojë nga faktorë të ndryshëm, përfshirë dhe problemet sporadike në mbulimin e shërbimit ose boshllëqeve momentale në rrjet. Megjithatë, është e pamundur të parandalohen dukuritë e roaming të padëshirueshëm, dhe prandaj përdoruesit duhet të jenë të informuar mbi këtë çështje dhe të jenë të informuar për masat që mund të merren për t’i parandaluar këto fenomene.
Për të bllokuar roaming e padëshirueshëm, përdoruesit duhet të kontaktojnë sipërmarrësit e tyre për të mësuar nëse shërbimi roaming është aktiv dhe çfarë veprimesh duhen ndërmarrë për ta deaktivizuar përfundimisht apo përkohësisht, ose manualisht të selektojë rrjetin e sipërmarrësit kombëtar.
Informacioni mbi cilësinë e shërbimit
Së bashku me çmimin, cilësia e shërbimit është një element thelbësor për konsumatorin kur zgjedh një shërbim ose një ofrues shërbimi.
Në të njëjtën kohë cilësia e shërbimit varet nga karakteristikat teknike të pajisjes fundore, nga lloji i teknologjisë së aplikuar dhe nga elementët e rrjetit.
Për të gjetur ofertën që i plotëson pritshmëritë e tij, konsumatori duhet të informohet jo vetëm për çmimet, por edhe për cilësinë aktuale të këtyre shërbimeve.
Informacioni që duhet të përmbajë kontrata e pajtimit
Kontrata duhet të përmbajë qartë nivelet e cilësisë së shërbimit që sipërmarrësi merr përsipër të sigurojë për përdoruesin, d.m.th. minimumi i niveleve të cilësisë së shërbimit që çon në pagesën e kompensimit ose të rimbursimit kur nuk sigurohet cilësia e duhur.
Veç përcaktimit të kohës maksimale të lidhjes së shërbimit nga sipërmarrësi, e cila duhet të përfshihet në kontratë, AKEP-i sugjeron që sipërmarrësit duhet të përfshijnë tregues të caktuar të cilësisë në kontratën e pajtimit. Gjithashtu duhet bërë e njohur se kur sipërmarrësi mund të zgjedhë nëse do t’i adoptojë apo jo këta tregues:
Shiko me tepër: Informacioni mbi cilësinë e shërbimit.
Difektet dhe asistenca teknike
Sipërmarrësit e shërbimit të aksesit të Internetit duhet të sigurojnë shërbim të rregullt dhe të pandërprerë. Ata gjithashtu duhet të riparojnë defektet dhe të kryejnë mirëmbajtjen dhe riparimin e infrastrukturës ( rrjetin, kabllot, pajisjet radioelektrike dhe fibre optike) dhe pajisjet telefonike, infrastruktura dhe pajisje që disponohen nga sipërmarrësit apo që përdoren për sigurimin e shërbimit. Këto detyrime duhet të pasqyrohen në Kontratat e pajtimit. Sipërmarrësit e shërbimit të akses Internetit nuk janë përgjegjës për riparimin e defekteve në pajisjet që i takojnë përdoruesit.
Gjithashtu rekomandohet, po në lidhje me këtë, që kontratat duhet të pasqyrojnë:
Detyrimin e sipërmarrësit për të rënë dakord për datën dhe kohën e riparimit me përdoruesin, kurdo qoftë e nevojshme për akses të vendit të instalimit;
Informacion mbi shërbimin për raportimin e defekteve të raportuara dhe kushtet e funksionimit të saj (si të raportohen defektet, orët e punës, kosto e kontaktit me këtë shërbim, etj…);
Niveli minimal i cilësisë i ofruar me kushtet dhe kohën që duhet për të riparuar defektet.
Koha maksimale sipas së cilës, defekti nuk është riparuar, sipërmarrësi merr përsipër të informojë përdoruesin për situatën në lidhje me defektin e raportuar.
Në kontrata duhet të jetë e specifikuar që Fatura e shërbimit do të jetë mujore, ndërsa pajtimtarët duhet të kenë të drejtën të kontrollojnë faturat e tyre dhe të paguajnë edhe pjesërisht, pra të ekzistojnë fatura me vlera të pjesshme.
Në këtë kontekst AKEP rekomandon që kontrata të përfshijë:
- Specifikime të faturës së detajuar kur kërkohet nga pajtimtari;
- Si do të emetohet fatura (në formë elektronike apo dorazi);
- Koha e pagesës pas dërgimit të faturës;
- Çmimi (kur është i aplikueshëm) i ndonjë lloj fature;
- Opsione të disponueshme për pajtimtarin për llojet e faturave, kur është e aplikueshme;
- Pasojat e pagesave të vonuara të faturave.
Fatura e detajuar
Pajtimtarët e shërbimit të akses Internetit kanë të drejtë të marrin faturë të detajuar sipas kërkesës së tyre. Vëmë në dukje, që kushtet në të cilat bëhet e disponueshme fatura e detajuar, si edhe niveli i detajimit, janë të përcaktuara nga sipërmarrësi sipas termave të vendosura në kontratat e pajtimit.
Kusht kryesor i kontratës të shërbimit të akses Internetit është që duhet të përcaktojë që shërbimi nuk mund të ndërpritet pa një njoftim paraprak, me përjashtim të rasteve të paparashikueshme, apo në kushtet e forcave madhore.
Në situatat kur faturat nuk janë paguar, kontrata duhet të përcaktojë që pajtimtarit i bëhet një njoftim paraprak, 10 ditë përpara pezullimit të kontratës, duke detajuar:
Arsyen e pezullimit;
Si mund të evitohet pezullimi dhe shërbimi të kthehet në gjendjen e mëparshme, nëse është ndërprerë.
Sipërmarrësi mund të pezullojë shërbimin vetëm mbas plotësimit të kushteve në rastin e mos-pagesës së faturave. Edhe në këtë situatë pajtimtari ka të drejtën e pagesës së pjeshme të faturës dhe të marrjes së faturës për këtë pagesë.
Në këtë rast ndërprerja duhet të jetë e kufizuar për shërbimet që janë paguar, përveç rastit kur është teknikisht e pamundur të bëhet ndarja e shërbimeve.
Si të ankohemi për zbatimin e kushteve kontraktore për ofrimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike?
Faza e parë – ankesa/sqarime tek ofruesi i shërbimit në telefon/pikat e shitjes.
Në kushtet kontratës së pajtimit përcaktohen mënyra dhe procedura për ankesat, ku jepen numrat e telefonit, adresat dhe kontaktet për kujdesin me klientët.
Ju keni të drejtë të ankoheni apo të kërkoni sqarime tek ofrouesi i shërbimit. Në rast se nuk jeni të kënaqur me sqarimet e dhëna nga operatori me anë të telefonit apo mjeteve të tjera elektronike, ju mund të ankoheni me shkrim tek ofruesi i shërbimit.
Faza e dytë – ankesa me shkrim
Ju duhet t’i drejtoni një ankesë me shkrim ofruesit të shërbimit të Internetit brenda 15 ditëve nga:
marrja e faturës për shërbimin e ofruar, nëse ankesa i referohet shumës së faturuar për shërbimin e ofruar; ose
nga ofrimi i shërbimit, nëse ankesa i referohet cilësisë së shërbimit të ofruar.
Me marrjen e ankesës, ofruesi i shërbimit të Internetit, duhet të verifikojë shumën e faturuar dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara, dhe pas verifikimit, t’ju konfirmojë ose t’i korrigjojë ato.
Ofruesi i shërbimit duhet t’ju dorëzojë përgjigjen me shkrim, jo më vonë se 15 ditë nga marrja e ankesës.
Nëse nuk jeni dakord me përgjigjen me shkrim të ofruesit të shërbimit, ju mund të filloni një procedurë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes në AKEP, ose mund ta paraqisni rastin para gjykatës.
Faza e tretë – zgjidhja e mosmarrëveshjes në AKEP
Pas marrjes së përgjigjes nga ofruesi i shërbimit lidhur me ankesën, nëse nuk jeni dakort, mund të kërkoni zgjidhjen e mosmarrëveshjes në AKEP, brenda 15 ditëve nga marrja e përgjigjes me shkrim.
Kërkesa paraqitet me shkrim dhe duhet të përmbajë fakte dhe prova, në të cilat është bazuar.
Forma e paraqitjes së kërkesës me shkrim, Formulari, (link i klikueshëm) dërgohet me postë ose dorazi në adresën:
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare
Rruga “Reshit Çollaku”
Tiranë, Shqipëri
ose në formë elektronike nëpërmjet aplikacionit online: e-ankesa/[email protected]/ (link i klikueshëm)
Kërkesës duhet t’i bashkëlidhni:
a) të dhënat që shërbejnë për identifikimin dhe adresën tuaj;
b) të dhënat që shërbejnë për identifikimin dhe adresën e ofruesit të shërbimit;
c) objektin e kërkesës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes;
d) parashtrimin e pretendimeve dhe kundërshtimeve ndaj përgjigjes së ofruesit të shërbimeve lidhur me ankimin.
Në përfundim të procedurës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, AKEP-i del me një rekomandim me shkrim se si duhet të zgjidhet mosmarrëveshja.
Në rast se rekomandimi nuk pranohet, secila nga palët mund të kërkojë zgjidhjen e mosmarrëveshjes në gjykatën kompetente.