Shërbim Postar
Për përmbushjen e nevojave përsa i përket shërbimit postar përdoruesi zgjedh kryesisht shërbime postare midis shërbimit postar universal dhe shërbimit postar ekspres.
Ndërsa shërbimi universal postar sigurohet nga “Posta Shqiptare”.
Shërbimi ekspres dhe shërbimet e tjera postare jashtë zonës së shërbimit universal sigurohen nga ofruesit e shërbimeve postare.
Shërbimi universal postar
Shërbimi universal postar përfshin ofrimin e vazhdueshëm të shërbimit postar me një cilësi të përcaktuar dhe me çmime të përballueshme.
Shërbimi universal postar përfshin kërkesat minimale të mëposhtme:
- Pranimin, përpunimin, transportin dhe shpërndarjen e objekteve postare që peshojnë deri në 2 kg;
- Pranimin, përpunimin, transportin dhe shpërndarjen e pakove postare që peshojnë deri në 10 kg;
- Shërbimet për objektet postare të regjistruara dhe objektet postare të siguruar.
Shërbimi ekspres
Shërbimi ekspres përmban trajtimin me prioritet, ndjekjen dhe kontrollin menaxherial të objekteve postare. Shërbimi realizohet nëpërmjet logjistikës së nevojshme për lejimin e gjurmimit dhe ndjekjes elektronike të objektit postar nga përdoruesi, si dhe dorëzimin në përputhje me kohën e paracaktuar dhe të publikuar.
Përdoruesi nëse dëshiron, shoqëron shërbimin ekspres me shërbimet postare me vlerë të shtuar (kliko 4), nëse këto shërbime ofrohen nga sipërmarrësi i shërbimit.
Shërbime me vlerë të shtuar
Shërbimet me vlerë të shtuar mund të përfshijnë një ose disa nga shërbimet e mëposhtme:
- Dorëzim brenda një ore të ditës të përcaktuar dhe me garanci për kthimin e pagesës shtesë në rast mosrealizimi sipas kushteve të përcaktuara, të tilla si: Përpara orës 9:00; Përpara orës 10:00; Përpara orës 12:00.
- Tërheqje apo dorëzim të objektit postar në ditët e pushimit.
- Siguracion i objektit postar. Siguracioni bëhet për një mbulim të plotë të vlerës në rast humbje apo dëmtimi të objektit postar sipas vlerës së deklaruar dhe kushteve të sigurimit të objektit postar.
- Tërheqje apo dorëzim i dedikuar kur objekti postar ka specifika të përcaktuara dhe shërbimi normal nuk është i mjaftueshëm.
- Paketim brenda një game standarde të paketimit të ofruesit të shërbimit.
- Administrimi dhe pagesa e detyrimeve të taksave e tatimeve nga ofruesi i shërbimit për lehtësi të dërguesit, apo një pale të tretë, kur sipas termave të tregtimit nuk i janë lenë marrësit për të paguar, apo në rastet kur marrësi për lehtësi administrimi ngarkon ofruesin e shërbimit për të paguar.
- Tërheqje apo dorëzim vonë. Shërbim i kërkuar jashtë orarit standard, jo të zakonshëm të punës.
- Firma e dorëzimit. Kur përdoruesi kërkon nga ofruesi i shërbimit një kopje të firmës së marrësit të objektit postar të dërguar në mënyrë elektronike apo kopje të printuar si provë e dorëzimit të dërgesës në destinacion.
- Trajtimi dhe transportimi i substancave dhe mallrave të klasifikuara si të rrezikshme në transportin ajror apo tokësor sipas përcaktimeve të organizatave botërore përkatëse.
- Shërbime doganore apo administrim të shërbimeve dhe dokumentacionit doganor.
- Garancia e dorëzimit të objektit postar në një datë të caktuar;
- Dorëzimi i dërgesave postare “Personalisht” tek marrësit;
- Mundësi për të ndryshuar adresën e destinacionit dhe rrugën që do të ndiqet për dorëzimin e dërgesës postare;
- Shërbim i personalizuar për klientin.
Nëse nuk jeni të kënaqur me shërbimin e ofruar nga operatori juaj, së pari duhet t’i drejtoheni ofruesit të shërbimit.
Nëse nuk jeni të kënaqur me përgjigjen e dhënë, ju mund t’i drejtoheni AKEP-it dhe më pas gjykatës. lexo më tepër ….
AKEP-i ndërhyn në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis përdoruesve dhe ofruesve të shërbimeve postare, kur ankesat kanë të bëjnë me kushtet kontraktore dhe/ose përmbushjen e këtyre kushteve nga ofruesi i shërbimeve.
Kini parasysh! Termat dhe kushtet e përgjithshme të ofrimit të shërbimit publikohen në faqen zyrtare të Internetit të ofruesit të shërbimit, si dhe në ambientet ku ushtron veprimtarinë e tij të biznesit për veprime të drejtpërdrejta me përdoruesit e shërbimeve postare.
Si të ankohemi?
Si të ankohemi për zbatimin e kushteve kontraktore për ofrimin e shërbimeve postare?
Faza e parë – ankesa me shkrim.
Ju keni të drejtë të ankoheni për kryerjen e shërbimit duke i drejtuar një ankesë me shkrim ofruesit të shërbimit brenda 30 ditëve nga:
- marrja e faturës për shërbimin e ofruar, nëse ankesa i referohet shumës së faturuar për shërbimin e ofruar; ose
- nga ofrimi i shërbimit, nëse ankesa i referohet cilësisë së shërbimit të ofruar.
Me marrjen e ankesës, ofruesi i shërbimit postar, duhet të verifikojë shumën e faturuar dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara, dhe pas verifikimit, t’ju konfirmojë ose t’i korrigjojë ato.
Ofruesi i shërbimit duhet t’ju dorëzojë përgjigjen me shkrim, jo më vonë se 30 ditë nga marrja e ankesës.
Nëse nuk jeni dakord me përgjigjen me shkrim të ofruesit të shërbimit, ju mund të filloni një procedurë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes në AKEP.
Kini parasysh! Çdo ofrues i shërbimit postar është i detyruar të publikojë, në faqen zyrtare të tij dhe në zyrat e ofrimit të shërbimit, rregullat për pranimin, trajtimin dhe zgjidhjen e ankesave të përdoruesve.
Faza e dytë – zgjidhja e mosmarrëveshjes në AKEP
Pas marrjes së përgjigjes me shkrim nga ofruesi i shërbimit lidhur me ankesën, nëse nuk jeni dakord, mund të kërkoni zgjidhjen e mosmarrëveshjes në AKEP, brenda 15 ditëve nga marrja e përgjigjes me shkrim.
Kërkesa paraqitet me shkrim dhe duhet të përmbajë fakte dhe prova, në të cilat është bazuar.
Forma e paraqitjes së kërkesës me shkrim, Formulari, (Kliko 6) dërgohet me postë ose dorazi në adresën:
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare
Në rast shkaktimi dëmi gjatë kryerjes së shërbimit, ofruesi i shërbimit postar i paguan një përdoruesi të shërbimit postar një shumë ekuivalente me shumën e dëmit të shkaktuar, por jo më shumë se kufiri maksimal i përcaktuar.
Dëmshpërblimi maksimal është:
- për humbjen, dëmtimin apo vjedhjen e një objekti të siguruar, sa vlera e dëmtuar, por jo më shumë se vlera e deklaruar e objektit postar;
- për humbjen apo vjedhjen e një objekti postar, letër të regjistruar, 2 000 (dy mijë) lekë;
- për humbjen, vjedhjen ose dëmtimin e një koliposte të regjistruar, 5 000 (pesë mijë) lekë;
- ç) për moskryerjen ose kryerjen në mënyrë jo të plotë ose të gabuar të shërbimit postar, në lidhje me transportin e një objekti postar të siguruar dhe regjistruar ose të kolipostës sa çmimi i paguar për kryerjen e shërbimit postar;
- për tejkalimin e afatit të dorëzimit të objekteve postare të regjistruara dhe siguruara, brenda vendit, përtej normave të parashikuara, 500 (pesëqind) lekë për çdo ditë vonesë, por jo më shumë se 5 000 (pesë mijë) lekë.
- Për humbjen e një objekti postar, sa çmimi i paguar për kryerjen e shërbimit postar.
Përveç shumave të dëmshpërblimit ofruesi i shërbimit i kthen dërguesit të gjitha tarifat e shërbimit të paguara prej tij. Me miratimin e palëve, dëmshpërblimi bëhet nga ofruesi i shërbimit, duke ofruar ridërgimin e dërgesës pa pagesë.
Përveç dëmshpërblimit, ofruesi i shërbimit i kthen dërguesit të gjitha tarifat e shërbimit të paguara prej tij.