Categories
Njoftime

Vizitë zyrtare e Kreut të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike të Republikës së Maqedonisë së Veriut

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) në kuadër të forcimit të bashkëpunimit me rregullatorët homologë rajonalë, mirëpriti më datë 18 maj 2021, në një takim dypalësh, Drejtorin e Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike të Republikës së Maqedonisë së Veriut (AEK), Z.Jeton Akiku dhe delegacionin e përbërë nga z. Xhinet Dauti Shef i Kabinetit të Drejtorit, z. Vergim Sherifi Udhëheqës i Njësisë për Çështje Juridike dhe Procedurave Gjyqësore dhe z. Igor Bojaxhiev Këshilltar për Çështjet nga Sfera e Radiokomunikacionit.

Nga AKEP të pranishëm në takim ishin Kryetari z. Tomi Frashëri, Drejtor i Kabinetit znj. Eriola Mosko, Drejtor i Drejtorisë Juridike dhe Integrimit z. Bleron Dokle, Drejtor i Drejtorisë së Autorizimeve z.  Jetmir Braha, Drejtor i Drejtorisë së Monitorimit, Kontrollit dhe Inspektimeve z. Vasil Mitezi.

Gjatë takimit të dy autoritetet vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm dhe vunë theksin në intensifikimin e marrëdhënieve dhe rritjen e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, kryesisht përsa i përket aspekteve rregullatore në fushën e komunikimeve elektronike.

Gjatë takimit u dakordësua nevoja për rishikim dhe përditësim të Memorandumit të Bashkëpunimit midis dy organeve rregullatore si dhe marrëveshjeve ndërkufitare nën dritën e ndryshimeve të reja të administrimit të spektrit të frekuencave.

Qëllimi i harmonizimit të frekuencave në zonën ndërkufitare dhe procedurave administrative të domosdoshme për rregullimin e vendosjes së përbashkët të rrjeteve GSM/UMTS/LTE, nga operatorët e dy vendeve fqinje në zonat ndërkufitare me qëllim parandalimin e interferencave reciproke dhe përdorimin më optimal të spektrit të radio, ishte dhe një nga çështjet kryesore të diskutimit.

Rritja e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencës, përmes realizimit të takimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të informacioneve është një domosdoshmëri pasi AKEP dhe AEK, përballen me sfida të përbashkëta, sikurse janë koordinimet ndërkufitare të brezave 5G (700 MHz, 3400-3800 MHz dhe 26 GHz), zbatimi i marrëveshjes për reduktimin dhe heqjen e tarifave Roaming etj.

Gjithashtu, në këtë takim, u diskutua edhe për implementimin e praktikave më të mira që ndërmorën të dy vendet, në kuadër të transformimeve dhe prurjeve të papritura që solli pandemia e covid-19 për shoqërinë digjitale, si edhe konkretizimi i planeve dhe strategjive të veprimit që duhet të ndërmarrin të dy autoritetet në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.