Categories
Njoftime Slideshow

AKEP Zhvillon Vizitë Zyrtare Pranë Autoritetit Rregullativ për Komunikimet Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP )

Prishtinë, 3 prill 2025 – Kryetari i Këshillit Drejtues të AKEP, z. Gentian Sala, së bashku me anëtarët e Këshillit Drejtues z. Bleron Dokle dhe z. Lorenc Bako, si dhe me një përfaqësi nga institucioni, zhvilluan një takim zyrtarë në Prishtinë, pranë Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) të Republikës së Kosovës.

Delegacioni shqiptar u prit nga z. Nazim Rahimi, Kryetar i Bordit të ARKEP, anëtarët e Bordit të ARKEP si dhe zyrtarë të tjerë të këtij institucioni. Takimi përfshiu diskutime konstruktive mbi gjendjen aktuale të sektorit të komunikimeve elektronike dhe postare, si dhe çështje të tjera të rëndësishme për zhvillimin e këtyre fushave.

Në këtë takim drejtuesit e të dy institucioneve konfirmuan vullnetin, gatishmërinë dhe angazhimin e tyre për të forcuar dhe thelluar edhe më tej këtë bashkëpunim. Kryetari i AKEP, shprehu vullnetin për të nxitur bashkëpunimin mes drejtorive në të dy institucionet në përditshmërine e tyre, koordinimin në përfaqësimet në organizatat ndërkombëtare, si dhe organizimin e trajnimeve dhe aktiviteteve të përbashkëta, që do të ndihmojnë në përmirësimin e mëtejshëm të rregullimit të sektorit të komunikimeve elektronike dhe postare.

Përfaqësuesit e ARKEP në takim shprehën kënaqësinë dhe gatishmërinë për të mbështetur iniciativën për nxitjen e mëtejshme në marrëdhëniet mes AKEP-ARKEP.