Categories
Njoftime

2 – 3 shkurt 2026, Porto – AKEP merr pjesë në Samitin e Dytë Ndërkombëtar për Qëndrueshmërinë e Kabllove Nënujore

Më 2 – 3 shkurt 2026, në Porto të Portugalisë, u zhvillua Samiti i Dytë Ndërkombëtar për Qëndrueshmërinë e Kabllove Nënujore, i organizuar nga Qeveria e Portugalisë me mbështetjen e ITU dhe ICPC, në vijim të Samitit të parë (Abuja, 2025).

Samiti mblodhi mbi 320 pjesëmarrës nga më shumë se 70 vende, përfaqësues të qeverive, industrisë dhe organizatave ndërkombëtare. Në këtë samit mori pjesë stafi teknik i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).

Diskutimet u përqendruan në forcimin e qëndrueshmërisë dhe mbrojtjes së kabllove nënujore, si infrastrukturë kritike globale.

Rezultatet kryesore të Samitit theksuan nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përmirësimin e koordinimit rregullator, rritjen e monitorimit dhe menaxhimit të rreziqeve, përshpejtimin e procedurave për riparim dhe mirëmbajtje të kabllove nënujore, si dhe nxitjen e investimeve të qëndrueshme, veçanërisht në rajonet më të cënueshme.

Rekomandimet synojnë krijimin e një mjedisi të harmonizuar rregullator për zhvillimin dhe mbrojtjen e sistemeve të kabllove nënujore, duke forcuar bashkëpunimin ndërmjet aktorëve relevantë.