Categories
Njoftime

KOMUNIKIM PËR PUBLIKUN PER NDERPRERJEN E SHERBIMIT TE ONE ALBANIA SH.A

24.08.2023

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka ndjekur me shqetësim situatën e krijuar nga ndërprerja për disa orë e shërbimeve të internetit, thirrjeve zanore dhe sms ofruar nga sipërmarrësi One Albania sh.a. Është përgjegjësi e sipërmarrësit të njoftojë dhe të informojë pajtimtarët e tij për shkakun e incidenteve të kësaj natyre dhe të sigurojë garantimin e të drejtave të përdoruesve. Për arsye se incidente të tilla kanë ndodhur edhe më parë, si rrjedhojë e ndryshimeve teknologjike që sipërmarrësi lirisht ka zgjedhur të aplikojë në sistemet e tij, AKEP ka kryer një inspektim gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, duke i vendosur One Albania sh.a. masa administrative të shoqëruara nga një sërë rekomandimesh për korigjimin e problemeve teknike të brendshme me impakt në vijueshmërinë dhe cilësinë e shërbimit.

Në këtë kuadër, AKEP do të vlerësojë situatën pas kryerjes së verifikimeve që parashikohen nga legjislacioni në fuqi.

AKEP sjell në vëmendje gjithashtu se One Albania sh.a., si çdo kompani që operon në tregjet e komunikimeve elektronike është një shoqëri me asete dhe sisteme teknologjike në pronësi private, shërbimet e së cilës ofrohen mbi baza kontraktore. Për këtë arsye ajo mbart përgjegjësi civile, ndaj dhe mund të paditet drejtpërdrejt dhe në çdo moment në gjykatë për vlerësimin dhe kompensimin e dëmit të shkaktuar, sikundër mund të jetë objekt ankese pranë AKEP, nga çdo përdorues, sipas formave të përcaktuara në ligj, për të marrë shërbimet e munguara.