Një delegacion i AKEP-it, i përbërë nga Eriola Mosko, Drejtor i Kabinetit, Armer Juka, Këshilltar i Kryetarit, Vasil Mitezi, Drejtor i Monitorimit, Kontrollit dhe Inspektimit, dhe Bledar Kazia, Drejtor Teknik, zhvilloi në Washington D.C. një sërë takimesh të nivelit të lartë me homologë dhe partnerë të institucionit.
Takimi me NTIA, Agjencinë Kombëtare të Telekomunikacioneve dhe të Informacionit, pjesë e Departamentit të Tregtisë, u përqendrua në përgatitjen, hartimin, konsultimin dhe miratimin e politikës spektrale. Scott Blake Harris, Këshilltar i Lartë i Spektrit/Drejtor i Strategjisë Kombëtare Spektrale, ndau përvojën e agjencisë së tij në këtë proces delikat dhe të domosdoshëm.
Në cilësinë e entit të ngarkuar me administrimin e spektrit të frekuencave në përdorim nga autoritetet federale, NTIA nënvizoi rëndësinë e alokimit të një sasie të caktuar spektri në breza të ndryshëm për përdorime jo-tregtare, duke përfshirë mbrotjen dhe sigurinë, aviacionin civil, kërkimin shkencor, etj.
Megjithë vështirësitë e parashikueshme dhe të paparashikueshme, NTIA përqafon idenë se përdorimi përherë e më intensiv i spektrit nga teknologjitë e reja implikon në mënyrë të pashmangshme forma të ndryshme bashkëpërdorimi të brezave të frekuencave.
Nga ana tjetër, zhvillimet e vrullshme teknologjike bëjnë të domosdoshëm parashikimin e një fondi zhvendosjeje, të krijuar nga të ardhurat e shitjes së të drejtave të frekuencave, me synim kompensimin e operatorëve ekzistues në brezat e frekuencave të ridestinuar për teknologji të reja dhe të përparuara.
Takimi në FCC, Komisionin Federal të Komunikimeve, ishte i një rëndësie të posaçme për shkak se u trajtuan dy prej çështjeve kryesore në agjendën institucionale të AKEP, siç janë alokimi i brezave të rinj për shtrirjen e teknologjisë 5G dhe siguria e rrjeteve.
Martha Stancill, asistent shefe në Divizionin e Ankandeve, paraqiti filozofinë dhe objektivat ligjorë të zbatueshëm në Sh.B.A. për caktimin e frekuencave. Përfshirja e hershme e palëve të interesuara u evidentua si një faktor kryesor për hartimin e formatit optimal për suksesin e procesit në këndvështrimin e maksimizimit të vlerës financiare të spektrit, nxitjes së konkurrencës, dhe ofrimit të një game të gjerë teknologjish inovative.
Sa i përket çështjes së sigurisë së rrjeteve, drejtuesit e Zyrës së Çështjeve Ndërkombëtare të FCC, Ethan Lucarelli, Shefi i Zyrës, dhe Jared Carlson, Zëvendësshefi i kësaj Zyre, vlerësuan dhe përgëzuan hapat e ndërmarrë nga Republika e Shqipërisë dhe nga AKEP në këtë front.
Kolegët e FCC prezantuan qasjen e adoptuar nga shteti amerikan në këtë çështje sensitive dhe shtjelluan modalitetet, kriteret, dhe pasojat e përfshirjes së një furnitori pajisjesh të rrjeteve të komunikimeve elektronike në “listën e mbuluar”. Përveç sigurisë së pajisjeve, u vu në dukje se FCC është ligjërisht e ngarkuar të refuzojë ose revokojë licensën e operatorëve të vlerësuar si kërcënim për sigurinë kombëtare.
AKEP i njohu kolegët e FCC me zhvillimet ligjore në vendin tonë sa i përket transpozimit të Kodit Europian të Komunikimeve Elektronike (EECC) dhe Direktivës mbi Sigurinë e Rrjeteve dhe të Informacionit (NIS 2) si dy instrumente kyçe për operacionalizimin dhe bashkërendimin institucional në lëndën e sigurisë së rrjeteve, një prioritet i vendit tonë.