Tiranë, 13 Mars 2025 _ Kryetari i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), z. Gentian Sala, mori pjesë në konferencën “Fit for the Future with 5G” organizuar nga Vodafone, ku u diskutua mbi zhvillimin dhe ndikimin e teknologjisë 5G në Shqipëri.
Në fjalën e tij z. Sala vlerësoi kontributin e Vodafone Albania në transformimin digjital të vendit, duke theksuar ndryshimet e rëndësishme që kompania ka sjellë në treg, nga prezantimi i Blackberry në 2009, te rrjetet 3G, 4G+ dhe tashmë mbulimi me 5G.
Ai nënvizoi gjithashtu se, përveç tregut të komunikimeve mobile, është e nevojshme të rregullohet dhe zhvillohet më tej edhe tregu i telefonisë fikse për të cilin AKEP do angazhohet maksimalisht. Në vijim, fokusi institucional do të jetë sigurimi i një mjedisi rregullator që nxit inovacionin dhe konkurrencën në të gjithë sektorin e komunikimeve elektronike.

