Categories
Njoftime Slideshow

AKEP PRET NË TAKIM PUNE DELEGACIONIN E AUTORITETIT RREGULLATOR TË KOMUNIKIMEVE ELEKTRONIKE DHE POSTARE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS (ARKEP)

Më datë 24 qershor 2025, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) priti në vizitë zyrtare një delegacion nga Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Republikës së Kosovës (ARKEP).

Gjatë kësaj vizite, përfaqësuesit e dy institucioneve zhvilluan një takim dypalësh, ku u trajtuan çështje me rëndësi në fushën e rregullimit të tregjeve të komunikimeve elektronike dhe postare, si dhe u diskutuan forma konkrete për forcimin e bashkëpunimit teknik dhe institucional. Në qendër të diskutimeve ishin:
-Pjesëmarrja e koordinuar në organizata ndërkombëtare si ITU, BEREC, UPU dhe rrjete rajonale të bashkëpunimit;
-Zbatimi dhe vlerësimi i mëtejshëm i marrëveshjes për Roaming në Ballkanin Perëndimor;
-Rritja e shkëmbimit teknik dhe nxitja e trajnimeve të ndërsjella ndërmjet ekipeve profesionale të të dy institucioneve;
-Prezantimi i njësive të reja organizative të krijuara në kuadër të strukturës së re të AKEP, të miratuar nga Këshilli Drejtues dhe shkëmbimi i përvojave mbi organizimin e brendshëm dhe modelet funksionale të punës.

Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni i ARKEP u njoh nga afër me funksionimin e Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Frekuencave (QKMF) pranë AKEP, si pjesë thelbësore në veprimtarine e monitorimit dhe menaxhimit te spektrit të frekuencave.

AKEP dhe ARKEP theksuan angazhimin e ndërsjellë për forcimin e bashkëpunimit teknik dhe rregullator, në funksion të harmonizimit të mëtejshëm të kuadrit rregullator dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe tregun në të dy vendet.