Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) zhvilloi sot një takim teknik me përfaqësues të ofruesve të shërbimeve të internetit (ISP), me qëllim identifikimin dhe adresimin e problematikave që lidhen me funksionimin e tregut të komunikimeve elektronike, si dhe ndërveprimin e operatorëve me infrastrukturën publike.
Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit institucional dhe përfshiu përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE), Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), Bashkia Tiranë, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH).
Në fjalën e tij, Kryetari i AKEP, z. Gentian Sala, theksoi angazhimin e institucionit për të reflektuar shqetësimet e ngritura nga aktorët e tregut në proceset e hartimit të akteve rregullatore dhe në lehtësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për zgjidhjen e çështjeve infrastrukturore.
Në vijim të diskutimeve, përfaqësuesja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Irena Malolli, falënderoi AKEP për organizimin e këtij takimi, duke vlerësuar rëndësinë e platformave të tilla për nxitjen e bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe faktin se adresimi i problematikave që hasen në treg ndihmon institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masat e nevojshme. Znj. Malolli u shpreh se është e domosdoshme që AKEP të shtojë vëmendjen në mbikëqyrjen dhe monitorimin e përmbushjes së kushteve të autorizimit të përgjithshëm nga operatorët.
Gjatë takimit u evidentuan disa nga sfidat kryesore që hasin operatorët në terren, përfshirë aksesin në infrastrukturën publike, procedurat ndërinstitucionale dhe nevojën për koordinim më të ngushtë mes palëve të përfshira. Palët ndanë nevojën për ndërhyrje konkrete në raste paligjshmërie dhe harmonizim të kuadrit rregullator dhe teknik, duke e konsideruar takimin si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të situatës aktuale.
AKEP vlerëson pjesëmarrjen aktive dhe konstruktive të institucioneve dhe subjekteve të përfshira dhe mbetet i angazhuar në ndërtimin e një dialogu të vazhdueshëm për zhvillimin e qëndrueshëm të tregut të komunikimeve elektronike në vend.





