Përfaqësues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) morën pjesë në edicionin e dytë të Shkollës Verore mbi politikat digjitale të bazuara në evidencë dhe statistikat e TIK-ut, zhvilluar më 8-12 qershor 2026 në ambientet e Universitetit të Kombeve të Bashkuara – Instituti për Kërkime Ekonomike dhe Sociale mbi Inovacionin dhe Teknologjinë në Maastricht (UNU-MERIT), në Holandë.
Programi synoi forcimin e kapaciteteve teknike dhe profesionale në hartimin, zbatimin dhe vlerësimin e politikave digjitale të bazuara në evidencë për arritjen e lidhshmërisë universale dhe kuptimplotë (Universal and Meaningful Connectivity). Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me interpretimin dhe përdorimin e statistikave të TIK-ut, analizën e të dhënave mbi infrastrukturën, cilësinë e lidhjes, përballueshmërinë, aksesin, përdorimin dhe aftësitë digjitale, si dhe me përdorimin e këtyre të dhënave në proceset e vendimmarrjes dhe vlerësimit të politikave publike.
Nëpërmjet leksioneve, sesioneve interaktive dhe ushtrimeve praktike, pjesëmarrësit bashkëpunuan me ekspertë ndërkombëtarë dhe zhvilluan prezantime të bazuara në të dhëna mbi raste konkrete të vendeve të tyre, duke shkëmbyer përvoja dhe praktika më të mira.
Pjesëmarrja e AKEP në këtë program kontribuon në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe profesionale në fushën e transformimit digjital dhe politikave të komunikimeve elektronike, në përputhje me zhvillimet dhe standardet ndërkombëtare.




