Categories
Njoftime Slideshow

Komisioni për Nismat Qytetare miraton projektrezolutën për veprimtarinë e AKEP

Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale shqyrtoi projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së disa institucioneve të pavarura, mes të cilave edhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), për vitin 2025.

Gjatë mbledhjes, Kryetari i AKEP, z. Gentian Sala, prezantoi rezultatet e veprimtarisë së institucionit gjatë vitit 2025, masat e ndërmarra në zbatim të rekomandimeve të Kuvendit, si dhe prioritetet e AKEP për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të komunikimeve elektronike dhe postare.

Në fjalën e tij, Kryetari i Komisionit, z. Fatmir Xhafaj, vlerësoi rëndësinë e raportimit periodik të institucioneve të pavarura për forcimin e llogaridhënies dhe mbikëqyrjes parlamentare, duke theksuar se Kuvendi do të vijojë të ndjekë me vëmendje zbatimin e rekomandimeve të miratuara.

Deputetja relatore, znj. Ilva Gjuzi, evidentoi progresin e AKEP në përmbushjen e rekomandimeve të Kuvendit dhe rëndësinë e vijimit të reformave në sektorin e komunikimeve elektronike dhe postare, në funksion të zhvillimit të tregut dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian.

Pas vlerësimit të bërë mbi shkallën e zbatimit të rekomandimeve të Kuvendit dhe progresin e institucionit, si edhe pas diskutimeve të zhvilluara në komision, u miratua projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së AKEP për vitin 2025, e cila do t’i paraqitet për shqyrtim seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë.