Categories
Njoftime Slideshow

Marrëveshjet teknike ndërkufitare për harmonizimin e frekuencave të lidhura midis Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe Agjencisë së Komunikimeve  Elektronike dhe Postare të Republikës të Malit të Zi (EKIP)

 

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare i Republikës së Shqipërisë (AKEP) dhe Agjencia për Komunikimet Elektronike dhe Shërbimet Postare e Malit të Zi (EKIP) nënshkruan më 19 prill 2023, në Podgoricë, 5 marrëveshje teknike për koordinimin ndërkufitar të rrjeteve të komunikimit celular/fiks (MFCN).

Qëllimi i këtyre marrëveshjeve është përcaktimi i parimeve, dispozitave teknike dhe procedurave administrative të nevojshme për të siguruar përdorimin e harmonizuar të MFCN në zonat ndërkufitare të Malit të Zi dhe Republikës së Shqipërisë, me qëllim sigurimin e aksesit të barabartë në spektër dhe funksionimin e tyre pa interferenca, si dhe përdorimin me eficiencë të radio-frekuencave në këto breza në zonat ndërkufitare. Marrëvëshjet janë në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Europian. Ato hynë në fuqi menjëherë dhe janë të zbatueshme nga operatorët e të dy vendeve të licencuar për përdorimin e këtyre brezave, jo më vonë se 6 muaj pas datës së nënshkrimit.

Kryetari i AKEP, Z. Tomi Frashëri dhe Drejtori Ekzekutiv i EKIP, Z. Darko Grguroviq, vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë dhe të kahershëm mes dy autoriteteve rregullatore. Një marrëveshje bashkëpunimi është nënshkruar nga palët qysh më 13 mars 2012.

Në frymën e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave, kolegët e EKIP bënë një prezantim, mbi shkallën e zhvillimit të rrjeteve mobile të komunikimit në Malin e Zi, si dhe mbi cilësinë e parametrave të shërbimit të këtyre rrjeteve.

Te dy palët vlerësuan dobinë e thellimit të bashkëpunimit dhe të rritjes së shkëmbimeve mes dy autoriteteve, duke pasur parësisht në konsideratë nevojën për harmonizim të përdorimit të radio-frekuencave pasi AKEP të marrë në administrimin brezin 700 MHz.