Në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Evropian, Lëvizja Evropiane në Shqipëri (EMA), në bashkëpunim me Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP),organizuan tryezën e punës me temë “Shërbimet Dixhitale në Shqipëri në kuadër të procesit të negociatave – Qeverisja e DSA, të Drejtat Themelore dhe Koordinimi Institucional”.
Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile, ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë dhe aktorë të tjerë të interesuar për të diskutuar mbi procesin e harmonizimit të legjislacionit shqiptar me Aktin për Shërbimet Dixhitale (Digital Services Act – DSA), një nga instrumentet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian në fushën e rregullimit të shërbimeve dixhitale.

Në hapje të aktivitetit, Kryetari i AKEP, z. Gentian Sala, vlerësoi rëndësinë e këtij procesi në kuadër të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“Vendi po avancon në përafrimin e legjislacionit me acquis të Bashkimit Evropian edhe në fushën e transformimit dixhital, ndërsa interneti dhe platformat online janë bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme, duke sjellë njëkohësisht mundësi të mëdha zhvillimi dhe sfida që lidhen me përmbajtjet e paligjshme, mbrojtjen e konsumatorëve, sigurinë e të miturve dhe transparencën e platformave”, u shpreh z. Sala.
Në këtë kontekst, Kryetari i AKEP nënvizoi se Akti për Shërbimet Digjitale (DSA) vendos një standard të ri evropian për funksionimin e platformave online dhe mbrojtjen e përdoruesve, ndërsa zbatimi i tij kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve publike, sektorit privat, shoqërisë civile dhe komunitetit akademik.
Z. Sala theksoi gjithashtu se ngritja e Koordinatorit të Shërbimeve Dixhitale, siç parashikon DSA, do të forcojë koordinimin ndërinstitucional dhe do të garantojë zbatimin e standardeve evropiane në Shqipëri, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi dixhital më të sigurt, më transparent dhe më të besueshëm për qytetarët dhe bizneset.
Gjatë tryezës u trajtuan çështje që lidhen me procesin e transpozimit të DSA-së në legjislacionin shqiptar, rolin e AKEP-it në zbatimin e kuadrit të ri rregullator, sfidat institucionale dhe teknike që shoqërojnë këtë proces, si edhe nevoja për bashkëpunim ndërinstitucional në garantimin e një mjedisi dixhital më të sigurt, transparent dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Pjesë e aktivitetit ishte edhe prezantimi i përvojës së vendeve të Bashkimit Evropian në zbatimin e DSA-së, me fokus rolin e Koordinatorit Kombëtar për Shërbimet Digjitale, përgjegjësitë e autoriteteve publike dhe praktikat më të mira për garantimin e një qeverisjeje efektive të shërbimeve digjitale.


