Në Kuvendin e Shqipërisë u zhvillua mbledhja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian me temë “Lufta kundër piraterisë digjitale dhe audiovizive, progresi dhe sfidat në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.
Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), z. Gentian Sala, mori pjesë në këtë takim, i cili bëri bashkë përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për procesin e integrimit evropian, autoriteteve rregullatore, institucioneve të zbatimit të ligjit dhe industrisë audiovizive për të diskutuar masat për forcimin e luftës kundër piraterisë dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e BE.
Në nisjen e këtij takim, Bashkëkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, z. Taulant Balla, theksoi se mbrojtja e hapësirës dixhitale është tashmë pjesë e mbrojtjes së ekonomisë dhe demokracisë, ndërsa Shqipëria duhet të ecë në të njëjtin ritëm me Bashkimin Evropian në zbatimin e standardeve për shërbimet dhe tregjet digjitale.

Gjatë ndërhyrjes së tij, Kryetari i AKEP, z. Gentian Sala, u ndal në nevojën për forcimin e kuadrit ligjor dhe rregullator në luftën kundër piraterisë digjitale, duke theksuar se zhvillimet teknologjike kërkojnë mekanizma më efikasë për zbatimin e masave të bllokimit të përmbajtjeve të paligjshme.
“Komunikimi midis institucioneve vazhdon të bëhet në formë shkresore dhe pavarësisht se ka funksionuar si mekanizëm, nuk i përshtatet më kohës, ndërkohë që pirateria është zhvilluar dhe sofistikuar më tej. Pikërisht për këtë arsye lind nevoja që ligji nr. 54/2024 të plotësohet me dispozita më të qarta, të cilat të parashikojnë detyrimin e ISP-ve për të zbatuar menjëherë urdhrat e bllokimit të nxjerra nga AKEP mbi bazën e kërkesave të autoriteteve kompetente, si dhe të përcaktojnë masat administrative për rastet e moszbatimit, të cilat sot nuk ekzistojnë”, u shpreh z. Sala.
Nga ana e saj, Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi, theksoi se pirateria nuk është vetëm një shkelje e së drejtës së autorit apo e të drejtave të transmetimit, por ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e tregut audioviziv, në cenimin e subjekteve të ligjshme dhe në dëmtimin real të tyre.
Në përfundim të diskutimeve, institucionet përgjegjëse u ngarkuan me detyra konkrete për avancimin e masave kundër piraterisë, ndër të cilat përfshihen ndërmarrja e ndryshimeve të nevojshme ligjore për forcimin e mekanizmave të zbatimit, ngritja e një task-force të përbashkët ndërinstitucionale, rritja e bashkëpunimit me ofruesit e internetit, partnerët evropianë dhe platformat dixhitale, si edhe organizimi i një fushate kombëtare ndërgjegjësuese për mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe luftën kundër piraterisë.


