Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), z. Gentian Sala, sëbashku me përfaqësues të institucionit, prezantuan në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm raportin vjetor të veprimtarisë së AKEP për vitin 2025.
Gjatë raportimit u paraqitën zhvillimet kryesore të sektorit të komunikimeve elektronike dhe postare, masat e ndërmarra për forcimin e kuadrit rregullator, mbrojtjen e konsumatorëve, zgjerimin e infrastrukturës digjitale, zhvillimin e rrjeteve 5G, si dhe prioritetet strategjike të Autoritetit në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe transformimit digjital të vendit.

Më poshtë gjeni raportimin e plotë të Kryetarit të AKEP, z. Gentian Sala:
Në përmbushje të detyrimit të llogaridhënies institucionale përpara Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, paraqesim sot raportin vjetor të veprimtarisë së Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për vitin 2025. Raporti ofron një pasqyrë të konsoliduar të veprimtarisë së Autoritetit gjatë periudhës raportuese, duke evidentuar masat rregullatore dhe mbikëqyrëse të ndërmarra, ecurinë e zbatimit të objektivave strategjikë, si dhe kontributin e AKEP në garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm të tregjeve të komunikimeve elektronike dhe shërbimeve postare, në funksion të promovimit të konkurrencës efektive, mbrojtjes së interesit publik dhe harmonizimit me kuadrin rregullator të Bashkimit Evropian.
Komunikimet elektronike dhe shërbimet postare janë sot ndër infrastrukturat më kritike për zhvillimin ekonomik, funksionimin e institucioneve dhe jetën e përditshme të qytetarëve. Në këtë realitet, pritshmëritë ndaj cilësisë së shërbimeve janë rritur ndjeshëm, ndërkohë që tregu karakterizohet nga konkurrencë e fortë, inovacion i shpejtë teknologjik dhe një ndërveprim gjithnjë e më kompleks ndërmjet operatorëve, rregullatorit dhe publikut.
Në këtë kontekst, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në ushtrimin e kompetencave të tij ligjore, luan një rol kyç në rregullimin dhe mbikëqyrjen e tregut,administrimin e burimeve të kufizuara si spektri i frekuencave radio dhe numeracioni, garantimin e konkurrencës së ndershme ndërmjet operatorëve, mbrojtjen e të drejtave të përdoruesve fundorë, si dhe monitorimin e cilësisë së shërbimeve dhe respektimit të detyrimeve ligjore nga subjektet e autorizuara.
Rezoluta
AKEP gjatë vitit 2025 ka pasur si prioritet të punës së tij ecurinë e zbatimit të rekomandimeve të lëna në Rezolutën e Kuvendit dhe rezulton se nga 11 rekomandime të lëna për vitin 2025, 10 prej tyre rezultojnë të zbatuara apo në proces vlerësimi të vazhdueshëm dhe është drejt finalizimit edhe rekomandimi mbi miratimin e akteve nenligjore.
ANGAZHIMI I AKEP NË PLOTËSIMIN E KUADRIT NËNLIGJOR
AKEP përgjatë vitit 2025 vijoi angazhimin për plotësimin e kuadrit rregullator në përputhje me kërkesat e ligjit për komunikimet elektronike. Janë miratuar 12 akte rregullatore, ndërsa 3 akte nënligjore janë në proces miratimi, të cilat kontribuojnë në përmirësimin e funksionimit të tregut dhe forcimin e mekanizmave mbikëqyrës. Paralelisht, AKEP po vijon punën për hartimin e akteve të tjera rregullatore (5 akte), proces i cili po mbështetet nga ekspertizë dhe asistencë e jashtme, me synim garantimin e harmonizimit të plotë të kuadrit rregullator me standardet evropiane dhe zhvillimet më të fundit të sektorit.
Miratimi i akteve rregullatore ka kaluar përmes procesit të konsultimit publik, si një mekanizëm thelbësor për sigurimin e transparencës, gjithëpërfshirjes dhe cilësisë së akteve rregullatore.
Projektaktet e hartuara janë publikuar për konsultim me operatorët e tregut, institucionet publike, organizatat e interesit dhe grupet e tjera të interesuara, duke mundësuar marrjen në konsideratë të komenteve dhe rekomandimeve të tyre gjatë procesit të vendimmarrjes.
Zgjerimi i shërbimeve 5G në Shqipëri:
Zhvillimi i rrjeteve me kapacitet shumë të lartë, përfshirë rrjetet celulare 5G, përbën një prioritet strategjik, i cili lidhet drejtpërdrejt me rritjen ekonomike, përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e konkurrencës në treg.
AKEP ka ndërmarrë një sërë veprimesh konkrete për krijimin e një mjedisi rregullator që përshpejton investimet në rrjetet 5G dhe infrastrukturat mbështetëse. Autoriteti ka luajtur një rol aktiv ndërinstitucional për lehtësimin dhe përshpejtimin e procedurave administrative për instalimin/ndërtimin e stacioneve 5G dhe shtrirjen e rrjeteve me fibër optike, përmes komunikimeve dhe takimeve të rregullta me MIE, bashkinë Tiranë, ARRSH, AZHT, OSHEE dhe operatorët e tregut.
Në kuadër të monitorimit të shtrirjes së infrastrukturës 5G, në përmbushje të kushteve të Autorizimit Individual, AKEP ka ndjekur ecurinë e implementimit të planit të veprimit të operatorëve të rrjeteve të lëvizshme për mbulimin me shërbim 5G, si dhe mbulimin e zonave të rëndësisë së veçantë si porte, aeroporte, zona turistike, rrugë kombëtare si dhe tunele në akset kombëtare. Operatorët e telefonisë celulare bazuar në detyrimet e mbulimit të përcaktuara në Autorizimin Individual, kanë vijuar të zgjerojnë rrjetet e tyre 5G.
Mbulimi me 2G/3G/4G dhe cilësia e shërbimit
Përvec zgjerimit të rrjeteve 5G operatorët celularë vijojnë të kryejnë investime të rëndësishme edhe për ofrimin e shërbimeve 2G apo 4G më qëllim përmirësimin e mbulimit me sinjal të vendit. Bazuar në raportimet e kryera për vitin 2025, rezulton se mbulimi i territorit me rrjet 4G ka arritur në nivelin e rreth 97% të territorit dhe rreth 100% mbulim i popullsisë.
AKEP në kuadër të monitorimit të cilësisë së shërbimit ka kryer matje sistematike të treguesve kryesorë të cilësisë, bazuar në planin e monitorimit vjetor por edhe në mënyrë sporadike sipas ankesavë të paraqitura nga institucione publike apo qytetarë të ndryshëm.
Interferencat
Gjatë vitit raportues, AKEP ka vijuar gjithashtu administrimin dhe monitorimin e përdorimit të spektrit të frekuencave radio, koordinimin ndërkombëtar me administratat homologe për shmangien e interferencave ndërkufitare, si dhe mbikëqyrjen e respektimit të kushteve teknike të autorizimeve individuale për përdorimin e frekuencave.
Në funksion të mbrojtjes së interesit publik, AKEP ka ndjekur me prioritet ankesat për interference të paraqitura në institucion dhe ka bashkëpunuar ngushtësisht me operatorët për zgjidhjen e tyre.
Gjatë vitit 2025, Autoriteti ka administruar:
– 15 ankesa për interferenca nga operatorët e rrjeteve të lëvizshme;
– 2 ankesa për interferenca nga Albcontrol në shërbimin aeronautik;
– 2 ankesa për interferenca ndërkufitare nga administrata e Italisë dhe administrata e Malit të Zi në shërbimin aeronautik, të shkaktuar nga transmetimet FM në Shqipëri.
Këto interferenca janë trajtuar në mënyrë të menjëherëshme nga stafi teknik i AKEP dhe kanë gjetur zgjidhje të plotë.
Brezi 700 MHz
Një nga çështjet që ka mbetur ende e pazgjidhur gjatë vitit 2025 lidhet me moslirimin e brezit të frekuencave 700 MHz, i cili vazhdon të përdoret nga operatorët e transmetimeve audiovizive.
Së fundmi, në prill 2026 me urdhër të Kryeministrit është ngritur një grup ndërinstitucional pune për koordinimin e procesit të lirimit të brezit DD2, i cili mbështetet edhe nga një sekretariat teknik. Sekretariati teknik aktualisht ka përgatitur një projektligj “Për lirimin e frekuencave të Digjital Dividentit dy (DD2)”, i cili ngarkon AMA-n për përfundimin e procesin e migrimit jo më vonë se 6 (gjashtë) muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Rritja e përdorimit të internetit dhe zhvillimi i tregut
Rritja e përdorimit të shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe zgjerimi i aksesit në internet reflektojnë dinamikën pozitive të tregut, ndërsa forcimi i mbrojtjes së konsumatorit dhe rritja e transparencës kanë mbetur në qendër të vëmendjes së Autoritetit.
Numri i pajtimtarëve aktivë që kanë përdorur shërbimin internet celular në fund të vitit 2025, rezultoi rreth 2.1 milionë pajtimtarë (mbi 88% e numrit total të banorëve në Shqipëri) duke sinjalizuar një fazë stabilizimi të këtij numri me dy vitet pararendëse. Përkundrejt këtij stabiliteti sa i përket numrit të përdoruesve, në aspektin e përdorimit të shërbimeve, trafiku i të dhënave celulare ka shënuar rritje të ndjeshme, duke arritur rreth 260 milionë GB, mbi 16% krahasuar me vitin 2024, dhe gati trefishuar me vitin 2020, ku ky volum shënonte rreth 89 milionë GB.
Rritje të theksuar ka shënuar edhe konsumi i internetit gjatë qëndrimit në roaming në vendet e Ballkanit Perëndimor (BP) duke arritur në mbi 1.6 milionë GB në vitin 2025, e shprehur ndryshe në një rritje me rreth 35% krahasuar me vitin 2024 dhe mbi tetëfishim krahasuar me vitin 2021 (200 mijë GB).
Në fund të vitit 2025 tregu shqiptar i internetit broadband (fiks) numëron rreth 733 mijë pajtimtarë, me një nivel depërtimi që arrin në 97% të numrit të familjeve shqiptare. Zhvillimi i shpejtë i sektorit është mbështetur kryesisht në investimet në fibër optike, e cila përfaqëson tashmë 75% të të gjitha lidhjeve fikse të internetit. Ky zhvillim ka sjellë përfitime të rëndësishme për qytetarët në aspektin e aksesit dhe çmimeve të shërbimit.
Gjatë vitit 2025, trafiku i të dhënave në rrjetet fikse arriti në 2.08 miliardë GB, duke shënuar një rritje prej 17% krahasuar me vitin 2024. Kjo tregon se qytetarët, bizneset dhe institucionet mbështeten çdo ditë e më shumë tek shërbimet digjitale për komunikim, biznes, arsim, financa,shëndetësi, argëtim, etj.
Në fund të vitit 2025 numri i pajtimtarëve që kanë akses me shpejtësi më të madhe se 30 Mbps përbën rreth 89% të totalit, krahasuar me rreth 84% të totalit në vitin 2024.
Ndërsa, numri i pajtimtarëve të shërbimeve broadband nga rrjetet fikse me akses mbi 100 Mbps është 391,132 (rreth 53% e pajtimtarëve) duke shënuar rritje mjaft të konsiderueshme krahasuar me vitin pararendës.
Shifrat e raportuara nga operatorët tregojnë se infrastruktura e komunikimeve elektronike në Shqipëri ka hyrë në një fazë të re zhvillimi. Gjatë vitit 2025, janë raportuar rreth 6,860 km fibër optike (dark fiber), 133 km tubacione dhe afro 1,800 km rrjete ajrore të bashkëpërdorura ndërmjet operatorëve.
Plani i rrjeteve kabllore
Në kushtet e zhvillimit të shpejtë të infrastrukturës së rrjeteve të k omunikimeve elektronike, ka ardhur momenti që rrjetet kabllore ajrore të sistemohen dhe të standardizohen. Prania e kabllove të vendosura në mënyrë të çrregullt në shumë zona urbane jo vetëm që ndikon negativisht në estetikën e qyteteve, por krijon edhe sfida në administrimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës.Pikërisht për këto arsye, gjatë vitit 2025 AKEP ka ndërmarrë një proces të gjerë konsultimi me të gjitha institucionet dhe palët e interesuara. Janë zhvilluar takime pune me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, Autoritetin Rrugor Shqiptar, Fondin Shqiptar të Zhvillimit, Bashkinë Tiranë, si dhe me operatorët kombëtarë dhe lokalë të komunikimeve elektronike.
Si rezultat i këtij procesi është hartuar plani i veprimit për sistemimin e kabllove ajrore, duke identifikuar dhe përcaktuar në këtë dokument masat administrative, teknike si dhe veprimet në terren që duhet të përmbushen nga palët e përfshira në këtë proces.
Në datën 24 qershor 2026, u prezantua nisma kombëtare për eliminimin e kabllove ajrore të komunikimeve elektronike dhe kalimin e tyre në infrastrukturë nëntokësore, përmes bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë, AKEP-it, bashkive, operatorëve të komunikimeve elektronike, OSSH-së dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.
AKEP ka nisur punën për koordimin e punimeve, duke vendosur kontakte me të gjitha palët e përfshira në proces dhe në shtator pritet zbatimi i planit në terren.
Zhvillimi i teknologjive të reja (nënshkrimi elektronik):
AKEP ka dhënë mbështetje në zhvillimin dhe implementimin e teknologjive dhe aplikacioneve inovative si aplikimi i identifikimit dhe nënshkrimit elektronik (eSignature) në kanalet dixhitaledhe në pikat fizike të operatorëve përbën një zhvillim të rëndësishëm
Mbrojtja e konsumatorit
Mbrojtja e konsumatorëve ka vijuar të jetë ndër prioritetet kryesore të AKEP gjatë vitit 2025, nëpërmjet monitorimit të tregut, trajtimit të ankesave dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ndërmjet përdoruesve dhe ofruesve të shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe postare.
Përmes miratimit dhe përditësimit të legjislacionit sekondar, siç janë rregulloret për përmbledhjen e kontratës, rregullorja për portabilitetin e numrit, udhëzimi për internetin e hapur,etj., synohet garantimi i transparencës për shërbimet e ofruara, akses dhe shërbime cilësore në përputhje me praktikat rregullatore të vendeve të Bashkimit Evropian. Gjatë vitit 2025, në AKEP u depozituan 394 ankesa për shërbimet e komunikimeve elektronike, me një ulje prej 59% krahasuar me vitin 2024, si dhe 19 ankesa për shërbimet postare. Treguesit e vitit dëshmojnë përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, efektivitetin e mekanizmave të trajtimit të ankesave dhe forcimin e mbrojtjes së konsumatorëve në sektorët e rregulluar nga AKEP.
Analiza e tipologjisë së ankesave tregon se problematikat kryesore të përdoruesve fundorë të shërbimeve të komunikimeve elektronike lidhen kryesisht me marrëdhëniet kontraktore dhe financiare me operatorët, më shumë sesa me aspektet teknike të cilësisë së shërbimit. Ankesat për faturimin dhe tarifimin përbënin rreth 32% të totalit, të ndjekura nga ankesat për portabilitetin e numrit celular me 31% dhe ato për kontratat dhe mbylljen e tyre me 19%. Këtotre kategori përfaqësojnë mbi 80% të të gjitha ankesave të administruara nga AKEP gjatë vitit 2025.
Shumica e rasteve janë adresuar dhe zgjidhur në fazën administrative, nëpërmjet ndërhyrjes së AKEP dhe bashkëpunimit me operatorët, përmes korrigjimit të faturimit, realizimit të kërkesave për mbyllje kontrate, kreditimit të pajtimtarëve apo zgjidhjeve të tjera konkrete. Kjo qasje ka kontribuar si në mbrojtjen efektive të të drejtave të përdoruesve fundorë, ashtu edhe në uljen e numrit të ankesave dhe përmirësimin e praktikave të operatorëve.
Paralelisht me trajtimin e ankesave individuale, AKEP ka punuar për hartimin dhe miratimin e kuadrit të ri nënligjor për zbatimin e Ligjit nr. 54/2024, duke synuar forcimin e të drejtave të përdoruesve fundorë, rritjen e transparencës dhe adresimin e problematikave të evidentuara në praktikë. Gjatë kësaj periudhe u miratuan Rregullorja për Portabilitetin e Numrit, Rregullorja për Modelin e Përmbledhjes së Kontratës dhe Udhëzuesi për Internetin e Hapur, ndërsa u publikua për këshillim publik edhe Projektrregullorja e re për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Këto akte vendosin standarde të reja për informacionin parakontraktor dhe kontraktor, rregulla më të qarta për portabilitetin e numrit, transparencën mbi cilësinë e shërbimit të aksesit në internet dhe garanci më të forta për mbrojtjen e të drejtave të përdoruesve fundorë, në përputhje me legjislacionin dhe praktikat rregullatore të Bashkimit Evropian.
Në këtë mënyrë, AKEP ka kaluar nga një qasje kryesisht reaguese, e fokusuar në trajtimin e ankesave, drejt një qasjeje parandaluese, që synon të reduktojë shkaqet e ankesave dhe mosmarrëveshjeve përmes rritjes së transparencës, forcimit të të drejtave të përdoruesve fundorë dhe vendosjes së rregullave më të qarta për ofrimin e shërbimeve.
AKEP, në kuadër të mbikëqyrjes së praktikave tregtare dhe çështjeve të mbrojtjes së konsumatorëve, ka qenë në komunikim të vazhdueëshëm me operatorët për çështje që lidhen me aplikimin e klauzolës së indeksimit të çmimit (IÇK), me përmbajtjen e paketave të ofruara për planet tarifore me konsum të ulët, si dhe praktikat që lidhen me afatin e vlefshmërisë së kartave/trajtimin e kreditit të papërdorur
Operatorët janë angazhuar se në vijim:
– do të hedhin në treg disa paketa të reja ekonomike për klientët me të ardhura të ulta, personat më aftësi të kufizuar dhe të moshuarit mbi 62 vjec,
– do të rikonfigurojnë përmbajtjen e paketave me çmim të ulët, duke rritur njësitë e internetit nga 50 Mbps në 500 MBps,
– do të ulin tarifën standarde për thirrje për numrat me parapagesë nga nga 39 leke/min në 29 lekë/min (ulje me 26 %), duke i bërë shërbimet e zërit më të përballueshme.
– Do të kompensojnë pajtimtarët në rast të vonesave apo parregullsive në procesin e portimit të numrit (sipas rregullores së re të portabilitetit).- Do të rimbursojnë kreditet e papërdorura në rastin kur bëhet portimi i numrit. Pra qytetarët kur portojnë numrin kanë të drejtë të kërkojën rimbursim të krediteve të mbetura.
Zhvillimi i sektorit postar dhe përmirësimi i standardeve.
Gjatë vitit 2025, AKEP ka vijuar angazhimin për zhvillimin e sektorit postar dhe përmirësimin e standardeve të ofrimit të shërbimeve, nëpërmjet monitorimit të tregut dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me ofruesit e shërbimeve postare. Në kuadër të këtij angazhimi, janë organizuar takime dhe tryeza konsultative me operatorët e tregut, me fokus përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, garantimin e të drejtave të përdoruesve dhe rritjen e transparencës në publikimin e informacionit mbi tarifat dhe kushtet e ofrimit të shërbimeve, në përputhje me kërkesat e legjislacionit postar.
Gjatë vitit 2025 dhe në vijim, AKEP ka zhvilluar gjithashtu takime me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Postën Shqiptare për adresimin e çështjeve që lidhen me qëndrueshmërinë ekonomike të ofrimit të shërbimit postar universal, veçanërisht në lidhje me tarifat e aplikuara prej vitesh. Në muajin prill 2026, Posta Shqiptare njoftoi AKEP për ndryshimin e disa tarifave të shërbimeve universale dhe jouniversale, të argumentuara me ndikimin e inflacionit dhe kostot e rritura të ofrimit të shërbimit. Aktualisht AKEP është në fazën e vlerësimit të këtyre tarifave.
Prioritetet strategjike dhe objektivat për vitin 2026
1. Vijim i punës për miratimin e akteve nënligjore të mbetura për të mundësuar implementimin e plotë të ligjit.
2. Menaxhimi eficient i burimeve të fundme, frekuencave, numrave, serive numerike, domain-it;
3. Mbrojtja e të drejtave të konsumatorëve dhe rritja e transparencës në ofrimin e shërbimeve të komunikimet elektronike dhe postare.
4. Koordinimin me institucionet vendore, qendrore dhe operatorët për zbatimin e planit të sistemimit të rrjeteve kabllore.
5. Harmonizimi i plotë i legjislacionit në kuadër të procesit të integrimit në zonën e përbashkët të Roaming-ut me BE-në dhe koordinimi me operatorët celularë për zbatimin e këtij procesi.
6. Impelementimi i akteve të reja nënligjore që lidhen me rrjetet me kapacitet te lartë (GiA) dhe aktin e shërbimeve digjitale (DSA). Rritjen e kapaciteteve teknike në zbatim të këtyre akteve.
Gjatë vitit 2025, AKEP ka luajtur një rol thelbësor në modernizimin dhe zhvillimin e sektorit të komunikimeve elektronike dhe postare në Shqipëri. Përmes vendimmarrjeve rregullatore, nxitjes për investime nga ana e operatorëve dhe forcimit të kapaciteteve institucionale, Autoriteti kakontribuar në sigurimin e një tregu më konkurrues, më inovativ dhe më të orientuar drejt nevojave të qytetarëve dhe të bizneseve. Këto zhvillime vendosin baza të qëndrueshme për avancimin e mëtejshëm të transformimit digjital dhe integrimin evropian të vendit.



