Categories
Njoftime Slideshow

Z. Armer Juka, Anëtar i Këshillit Drejtues të AKEP, zgjidhet përfaqësues në Mini-Bordin e BEREC

Bordi i Rregullatorëve të BEREC zgjodhi z. Armer Juka, anëtar i Këshillit Drejtues të AKEP, si përfaqësues të pjesëmarrësve pa të drejtë vote për vitin 2027 në Mini-Bordin e BEREC.

Përfshirja e z. Armer Juka, në cilësinë e Anëtarit të Këshillit Drejtues të AKEP, në Mini Bordin e BEREC për vitin 2027, përforcon praninë e Shqipërisë në dialogun rregullator evropian dhe krijon mundësi të reja për shkëmbimin e praktikave dhe eksperiencës në sektorin e komunikimeve elektronike.

Pas zgjedhjes, z. Juka falënderoi Bordin e Rregullatorëve për besimin e dhënë, duke theksuar se këtë vlerësim e konsideron mbi të gjitha si një njohje të përpjekjeve të vazhdueshme të AKEP për të dhënë kontributin e tij dhe për të marrë përsipër pjesën që i takon të përgjegjësisë në komunitetin rregullator evropian.

Në kuadër të takimit të 68-të të BEREC, Bordi i Rregullatorëve zgjodhi gjithashtu z. Michel Van Bellinghen, Kryetar i Këshillit të BIPT-IBPT të Belgjikës, si Kryetar të BEREC për vitin 2028. Ndërkohë, z. Klaus Steinmaurer, nga RTR e Austrisë, dhe znj. Karol Krzywicki, nga UKE e Polonisë, u zgjodhën Nënkryetarë të BEREC për vitin 2027.

Mini-Bordi do të përfshijë gjithashtu Kryetaren e BEREC për vitin 2027, znj. Alejandra de Iturriaga Gandini (CNMC, Spanjë), si dhe Kryetarin në detyrë të BEREC, z. Marko Mišmaš (AKOS, Slloveni).

Për AKEP, kjo përfaqësi vjen në një periudhë ku bashkëpunimi ndërkombëtar dhe përafrimi i praktikave rregullatore me standardet evropiane kanë një rëndësi të veçantë për zhvillimin e tregut shqiptar të komunikimeve elektronike.