Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), z. Gentian Sala, zhvilloi një takim zyrtar me Drejtorin e Agjencisë për Komunikime Elektronike (AEK) të Maqedonisë së Veriut, z. Nusret Haliti.
Në takim u diskutua mbi prioritetet dhe zhvillimet aktuale në sektorin e komunikimeve elektronike. Dy drejtuesit shkëmbyen pikëpamje dhe eksperienca lidhur me veprimtarinë e dy autoriteteve homologe, si dhe me çështje të përbashkëta në fushën e rregullimit dhe mbikëqyrjes së tregut të komunikimeve elektronike.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet AKEP dhe AEK, përmes shkëmbimit të mëtejshëm të ekspertizës, njohurive dhe praktikave të mira.
Gjatë takimit u diskutua edhe për identifikimin e fushave konkrete ku ky bashkëpunim mund të zhvillohet më tej, duke krijuar hapësira për komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm ndërmjet dy institucioneve.


